LISBONË, 28 maj /ATSH-AFP/ – Bashkimi Europian kërkon të dijë nëse pengesat e vendosura nga Rusia për linjat ajrore janë të përpikta ose nëse është një vendim politik, para se të marrë masa, njoftoi sot kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell.
“Ne kemi pasur informacione mbi pengesat që ndalojnë avionët europianë të ngrihen dhe të zbresin në Moskë, gjë që ka bllokuar trafikun. Por, ne ende nuk dimë nëse bëhet fjalë për një rast pas rasti (…) apo një direktivë të përgjithshme nga autoritetet ruse për të detyruar avionët europianë të fluturojnë në hapësirën ajrore të Bjellorusisë”, deklaroi ai pas mbërritjen për një takim me ministrat e Mbrojtjes të BE-së në Lisbonë.
“Ne po studiojmë situatën, por ne duhet të presim dhe të shikojmë për të marrë masa”, nënvizoi Borrel.
“Rreziku i përshkallëzimit vazhdon të ekzistojë me Rusinë”, shtoi ai,
Ministri portugez i Mbrojtjes, Joao Gomes Cravinho theksoi se këto pengesa janë në logjikën e një përgjigjeje ndaj sanksioneve europiane kundër Bjellorusisë.
BE vendosi të hënën të ndalojë hapësirën e saj ajrore dhe aeroportet e avionëve bjellorusë dhe të rekomandojë që kompanitë europiane të shmangin hapësirën ajrore bjelloruse.
Tre fluturime nga kryeqytetet e BE për në Moskë – një nga “Air France” Paris-Moskë sot, një tjetër e mërkurë dhe një nga “Austrian Airlines” Vjenë-Moskë të enjten u anuluan për mungesë të autorizimit për linjat e reja që shmangin Bjellorusinë.
Kompania austriake theksoi se nuk kishte marrë dritën e gjelbër nga Rusia për një ndryshim të itinerarit, destinuar për të shmangur hapësirën ajrore bjelloruese, ndërkohë që “Air France” theksoi se pas anulimit të fluturimit të parë për shkaqe operacionale lidhur me anashkalimin e hapësirës ajrore bjelloruse nevojitej një autorizim i ri nga ana e autoriteteve ruse për të hyrë në territorin e tyre./ /ec/























