MYNIH – Kina thirrje për përmirësim të marrëdhënieve me BE-në

MYNIH, 28 maj /ATSH-AA/ – Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi i kërkoi Bashkimit Europian (BE) të përmirësojë marrëdhëniet me vendin e tij, në vazhdën e kritikave të mëdha nga Europa mbi rekordet negative të Pekinit për sa u përket të drejtave të njeriut.

“Unë ende kam besim në marrëdhëniet tona. Besoj se do të jemi në gjendje të kapërcejmë vështirësitë e përkohshme përmes dialogut dhe komunikimit”, theksoi Wang duke folur në një tryezë diskutimi të organizuar nëpërmjet internetit nga Konferenca e Sigurisë në Mynih.

“Ne shpresojmë të kemi më shumë komunikim me palën europiane për t’i zgjidhur këto dallime”, shtoi kryediplomati i Kinës.

Wang theksoi se BE-ja është “partnere strategjike” dhe jo rivale.

Në mars, BE-ja vendosi sanksionet e saj të para të mëdha kundër zyrtarëve kinezë që nga viti 1989 për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut në rajonin Xinjiang të Kinës.

Wang paralajmëroi kundër përpjekjeve të Perëndimit për ta politizuar situatën në atë rajon.

“Çështja e Xinjiang-ut nuk ka të bëjë me demokracinë, të drejtat e njeriut ose fenë. Aspak. Që nga dita e parë, është një çështje kundër terrorizmit” theksoi ai.

Kina mohon me këmbëngulje akuzat për shtypje kundër popullatës ujgure në Xinjiang, ndër të tjera, duke i vendosur pjesëtarët e këtij komuniteti në të ashtuquajturat “qendra të riedukimit”, që janë krahasuar me kampe burgu.

BE-ja gjithashtu ka kritikuar vazhdimisht Pekinin për shtypje ndaj lëvizjes prodemokratike në Hong Kong./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.