Ballina Flash

Basha: Taksat nuk do të ndryshojnë për 4 vjet, tatim mbi të ardhurat 9% dhe sigurime shoqërore 18%

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar njё takim me profesionistë të lirë në njësinë 7, në Tiranë, ku u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me problemet që i shqetësojnë.

Ndryshimi i sistemit të taksimit disa herë në vit, sipas Bashës është tregues i ngecjes në vendnumëro të ekonomisë shqiptare. Kreu i opozitës shpjegoi planin e Partisë Demokratike që në radhë të parë synon të anulojë fiskalizimin, pasi sipas tij, kjo është një aferë korruptive që do të hetohet.

Ai gjithashtu tha se me tavanin 0.5 % të xhiros vjetore për taksat dhe tarifat vendore, si dhe pulla fiskale në hyrje të biznesit, janë dy garancitë e qeverisë së ardhshme që do të çlirojnë biznesin e vogël dhe të mesëm.

“Fiskalizimi do të anulohet! 600 deri në 2000 euro që duhet të paguajë biznesi i vogël, pasi i jepet fatura e energjisë dyfish krahasuar me dy vite më parë, pasi është rritur çmimi i naftës, pasi me çdo gjobë i merret fitimi i muajit, nganjëherë dhe i vitit. Biznesi i vogël nuk do të paguajë koston e fiskalizimit dhe kjo aferë do të hetohet deri në fund, ashtu siç kemi thënë prej ditës së parë, ashtu siç kemi denoncuar me fakte sepse për biznesin e vogël dhe të mesëm, që për ne fillon nga 140 milionë lekë të vjetra, do ketë një dhe vetëm një masë. 0.5 % tavani i xhiros vjetore për taksat dhe tarifat vendore, një pullë fiskale në hyrje të biznesit, që do të ndalojë praninë e tatimorëve, janë dy garancitë që do të çlirojnë biznesin e vogël dhe të mesëm që është kolona vertebrale, është shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare”, u shpreh Basha.

“Reforma jonë shëndetësore do të mundësojë në radhë të parë që këto para të shkojnë për reformimin e shëndetit publik, që paraja të ndjekë pacientin dhe që brenda dy vjetëve të parë përmes kësaj reforme të ndalet largimi i mjekëve dhe infermierëve dhe të ofrohet cilësi e shërbimit shëndetësor në spitalet publike dhe në sistemin shëndetësor në tërësi, të paktën e të njëjtit nivel siç ofrohet në vendet e rajonit për të përparuar më tej pastaj drejt nivelit europian. E treta për farmacistët, dhjetëra-mijëra familje në Tiranë, ndoshta qindra-mijëra në gjithë Shqipërinë kanë kaluar COVID-in me një, dy, apo nganjëherë të gjithë familjarët e sëmurë me COVID. Po ashtu po hartojmë së bashku me ekspertët më të mirë, një paketë për rimbursimin retroaktiv me efekt prapaveprues të të gjitha familjeve të dëmtuara në financat e tyre nga pakujdesia, nga neglizhenca e nga braktisja e kësaj qeverie”, – tha Basha.

Basha gjithashtu u shpreh se paketa fiskale që do të miratohet nga qeveria e ardhshme, e cila ka në thelb të saj taksën 9 %, uljen e kontributeve shoqërore në 18 % dhe heqjen e taksës Rama mbi karburantin, do të jetë më konkurruesja në rajon.

“Paketa jonë fiskale është realisht më konkurruesja në rajon, me taksën e sheshtë 9 %, me kontributet për sigurimet shoqërore 18 %, me heqjen e taksës Rama mbi karburantin 24 lekë për litër dhe me masat e tjera fiskale ne e bëjmë Shqipërinë ambientin me taksat më të ulëta, ose në rastin e disa vendeve fqinjë me taksa të barabarta me vendet rreth nesh. Angazhimi i qeverisë dhe angazhimi im personal është që kjo paketë taksash nuk do të ndryshojë, nuk do të ketë pra ndryshim, shtim të taksave. Sigurisht nëse hapësira ekziston për ulje të taksave do të veprohet në këtë drejtim. Sikundër do të ngrihet një institucion, një bord i pavarur nga qeveria, i kontrollueshëm nga parlamenti, detyra e të cilit do të jetë pikërisht që qeveria nesër e tutje të mos të jetë në gjendje të marrë masa arbitrare, të jetë arrogante dhe të bëjë gjëra të papritura në kurriz të sipërmarrjes, në kurriz të ekonomisë dhe në kurriz të xhepave të shqiptarëve”, – përfundoi Basha.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKlosi me të rinjtë e FRESSH-it në Kanionet e Osumit: Në 4 vjet qeverisje të Edi Ramës, asnjë leje për HEC
Artikulli tjetërUASHINGTON – Di Maio: Bashkëpunim më i fortë italo-amerikan në Libi