Ballina Flash

VIDEO- Investimet që do e kthejnë Shkodrën në qendër rajonale zhvillimi ekonomik e turistik/ Beci për ATSH: Ky është ndryshimi që presin shkodranët

TIRANË, 5 prill/ATSH/ Partia Socialiste në planin e saj e vlerëson Shkodrën si një qendër rajonale të zhvillimit ekonomik e turistik.

Investimet e kryera në Shkodër gjatë tetë viteve të qeverisjes socialiste kanë patur në fokus rivitalizmin e zonave rreth saj.

Kandidati i Partisë Socialiste në Shkodër, Benet Beci, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, tha se shkodranët presin tanimë një transformim të madh në qytetin e tyre dhe skuadra e Partisë Socialiste ka në planin e saj ta kthejë qytetin e Shkodrës në një rrezatim të zhvillimit rajonal.

Në intervistën për ATSH, Beci, fillimisht bëri një pasqyrim të investimeve të bëra deri më sot.

“Kemi disa projekte të gatshme, që pritet të nisin nga realizimi këto ditë, siç është rruga e Komanit. Kjo rrugë është një vepër e ëndërruar në zonën e Vaut të Dejës. Komani tashmë është kthyer në një destinacion turistik, por nuk ka patur rrugë. Është një investim i rëndësishëm në 30 kilometra rrugë, që do ta shoqërojë të gjithë zhvillimin e zonës. Do të shërbejë për turizmin, si dhe për energjinë, pasi në zonë janë dhe investime të rëndësishme të Koorporatës Elektroenergjetike”, – tha Beci.

“Ka pasur investime të rëndësishme gjatë viteve të fundit në të gjithë qarkun e Shkodrës. Investimi më i rëndësishëm dhe i prekshëm për të gjithë ka qenë rruga e Vermoshit. Një investim, një aks jashtëzakonisht i rëndësishëm, në pikën më fundore të vendit, një aks që bënë të mundur sot kalimin e transportit që nga pjesa e Malit të Zi, nga Plava e Gucia, dhe kalon poshtë deri në pjesën e Podgoricës së Malit të Zi. Është jo vetëm një rrugë kalimi dhe investimi të rëndësishëm për banorët e zonës, por dhe për turizmin e për ekonominë e zonës. Janë dy pika të rëndësishme që u zhvilluan menjëherë pas bërjes së rrugës, Tamara dhe Vermoshi”, – tha Beci, i cili kujtoi se këto dy pika kanë qenë më parë zona dënimi, tanimë janë zona relaksimi dhe kënaqësie.

“Në këto dy pika ka pasur zhvillime tejet interesante dhe eficiente përsa i përket zhvillimit të ekonomisë së zonës. Po të shikoni sot Tamarën nuk do ta njihni. Më përpara po të shkoje në Tamarë e Vermosh ishte një dënim, tani qytetarët shkojnë për shëtitje, për kafe, për të parë bukuritë e zonës. Ky është modeli i zhvillimit që kanë sjellë investimet publike në qarkun e Shkodrës, por nuk është vetëm kjo”, – shtoi ai.

“Kemi rrugën e Velipojës, një rrugë e mirëpritur nga qyteti i Shkodrës. Velipoja ka qenë një torturë që të shkoje në rrugën e mëparshme, tani kemi rrugë të niveleve të mira. Po kështu është shtruar rruga e Thethit. Tanimë kjo rrugë është bërë dhe është në fazën përfundimtare. Këto janë investimet madhore në qark, por nuk mbarojnë këtu. Është bërë e mundur të bëhen disa investime sinjifikative edhe në qendër të qytetit, ku jemi përpjekur ta gjejmë bashkëpunimin me bashkinë e Shkodrës, por dhe pa të kemi arritur të realizojmë disa investime, si muzeu ‘Marubi’ apo Shiroka, një investim tejet interesant”,- tha ai.

Duke u ndalur tek Shiroka, Beci nënvizoi se është një transformim rrënjësor i sheshit të Shirokës. “Është pjesë e një grupi investimesh në të gjithë bregun e liqenit të Shkodrës, duke shkuar ky investim në mbështetje të turizmit dhe biznesit. Në këto zona ka ndryshuar pamja e përqasja e vizitorëve. Kemi stadiumin e Shkodrës, një investim tjetër i rëndësishëm. Projektet e tjera janë në vijim e sipër”,- tha Beci.

Duke folur për transformimin e qytetit, Beci tha se kemi një shembull të rëndësishëm të fuqisë transformuese të një qyteti, të bukurisë së tij dhe banorëve që jetojnë në atë qytet.

“Po të shkoni në Vlorë ka ndryshuar jo vetëm Lungomare, por ka ndryshuar sjellja, do të shihni sot vlonjatët me një sjellje europiane, për arsye se e gjithë pjesa e shërbimeve shkon bashkë. Ky është një transformim i madh i qyteteve. Po dhe në Shirokë kam patur raste interesante të këtij transformimi. Në fakt këtë ndryshim qytetarët e presin të ndodh dhe në Shkodër. Ngërçi që ka qenë me Bashkinë duhet ta tejkalojë politikën. Nuk duhet të jetë politika që të ndal zhvillimin. Banorët e Shkodrës e kanë kuptuar këtë dhe kjo është oferta jonë si parti dhe si skuadër e deputetëve, të gjejmë mënyra për të gjetur ura bashkëpunimi për të zhvilluar Shkodrën”, – tha Beci.

“Nuk ka gjë më të madhe se ndërtimi i qytetit tënd, dhe aq më tepër i një qyteti si Shkodra. Kjo kalon çdo lloj diskutimi qoftë politik, apo të tjera konfliktuale për ta ndërtuar Shkodrën. Njerëzit e kërkojnë këtë sot. Ata presin të ketë një ndryshim të madh në Shkodër, siç ka qenë në të gjithë Shqipërinë”, – tha Beci.

“Plani ynë për Shkodrën, është në kuadër të faktit se ne e konsiderojmë Shkodrën një qendër, që ka një rrezatim rajonal të zhvillimit ekonomik. Kur themi rajonal, them jo vetëm rreth saj, por dhe në zonat e tjera përtej kufirit, Mali i zi, Kosova. Në këtë drejtim, kemi dhe investimin në rrugën Shirokë-Velipojë, që lidh këto dy pika turistike, kalimin e Bunës, Ulqinit, ky është një segment që integron kufijtë dhe krijon një rajon të tërë të shkëmbimit  tregtar e turistik, në të mirë të zhvillimit të ekonomisë”, – nënvizoi Beci.

“Ne pra, Shkodrën e shohim si një njësi rajonale të zhvillimit. Dhe këtu vijmë me propozimin, që nis nga Universiteti i Shkodrës, si qendra e mendimit dhe kulturës dhe përgatitjes së njerëzve që do të vlerësojnë këtë rajon të zhvilluar dhe pa kufi gjeografik në konceptin ekonomik sa i takon turizmit dhe zhvillimit. Prandaj investimet e bëra deri tani do t’i shërbejnë dhe kanë nevojë dhe për një ndërhyrje në qendrën e saj. Tani është radha të jemi prezent në qendër të Shkodrës me investime të rëndësishme. Ne do të ndërtojmë ura bashkëpunimi, pasi s’ka parti më të rëndësishme se partia për Shkodrën dhe për zhvillimin e vendit. Le të punojmë të gjitha bashkë për Shkodrën. Kam ardhur këtu me këtë qëllim e për të bashkëpunuar me të gjithë për këtë”, – theksoi Beci, gjatë intervistës për ATSH.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjiknuri: Gratë dhe vajzat mbështetje e fortë për Partinë Socialiste
Artikulli tjetërBardhi me banorë të Elbasanit: Bashkë për të ndryshuar modelin e qeverisjes