TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet në kantierin e Spitalit Rajonal Memorial të Fierit, ku shprehet ai, “progresi i përditshëm është tejet mbresëlënës dhe ku do të kemi, duke nisur nga muaji maj (që të jemi brenda), jo vetëm një spital të ri publik me standardet më të larta, po edhe një qendër transferimi të dijes ku do të zbatohet projekti pilot i autonomisë spitalore, që pastaj do të shtrihet në të gjithë spitalet e Shqipërisë”.
“Një personel prej 50 vetësh, menaxherë, mjekë e infermierë turq do të punojnë këtu, së bashku me personelin prej 320 mjekësh, infermierësh e punonjësish shqiptarë të shërbimeve mbështetëse”, thekson Rama.
“Ky spital hap fazën përmbyllëse të Reformës sonë në Shëndetësi dhe është pasqyra më kuptimplotë e një transformimi në vazhdim, që deri 7 vjet më parë as e mendonte njeri”, shtoi Rama.
Duke inspektuar punimet në kantier, Rama tha se, “nga pikëpamja e kushteve klimatike është fantastike, sepse është e freskët në verë, e ngrohtë në dimër vetvetiu. Pastaj s’diskutohet ka dhe gjithë sistemin”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila shoqëronte kreun e qeverisë në këtë inspektim, u shpreh se, “ne kemi dërguar edhe ekipet të cilat kthehen sot, që po vendos për modelin sesi neve do të operojmë në këtë spital. Ashtu sikurse ju e keni thënë, do të realizojmë për herë të parë modelin e autonomisë spitalore”.
Manastirliu u shpreh se, “të gjitha këto do të jenë dhoma teke, standardi i ofrimit të shërbimit do të jetë ekselent. Janë të gjitha dhoma teke, pra 150 shtretër. 20 shtretër të terapisë intensive, që është praktikisht e përfunduar”.
“Ky spital do të ketë, sipas modelit dhe organizmit që po bëjmë me Turqinë, rreth 380 të punësuar, pra mjekë, infermierë, gjithashtu edhe punonjës të shërbimeve, ku në vlerësim me palën turke, do të jenë mbi 50 mjekë dhe infermierë, të cilët do të vijnë nga Turqia për të na dhënë modelin dhe për të bërë transferimin e dijeve dhe të teknologjisë gjithashtu. Sepse ky spital do të ketë edhe një teknologji bashkëkohore sa i përket pajisjeve dhe aparaturave, të cilat janë porositur dhe besojmë që rreth fundit të marsit do të vijnë edhe pajisjet edhe mobilimi spitalor, i cili tashmë është bërë gati. Pra ne bëhemi gati dhe për ta buxhetuar dhe për të marrë masat për ta vënë në funksion menjëherë sapo të mbarojë”, u shpreh Manastirliu.
Ndërsa ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se, “në këto momente kemi në terren rreth 400 punonjës dhe parashikohet që në 2 javët në vazhdim të shkojnë në rreth 800 punonjës”.
Kryeministri Rama kërkoi nga kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi që rreth e rrotull spitalit të bëhet një kurorë e gjelbër me pemë, që kur të jenë njerëzit në dhomë të shohin gjelbërim.
/r.e/






































