Meta: Vaksinimi selektiv, tipike për diktaturat. Të rishikohet buxheti për shëndetësinë

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se kriteret e ndarjes klasore, preferenciale dhe të përzgjedhjes arbitrare dhe selektive të njerëzve për të marrë vaksinimin ndaj COVID-19 janë tipike për diktaturat dhe diktatorët.

Në një konferencë për mediat, Meta tha se, “pa një plan të qartë, transparentë dhe të sigurt të furnizimit të popullatës me vaksina antikovid-19, vendi rrezikon një katastrofë epidemiologjike me pasoja të rënda për jetën dhe për shëndetin e qytetarëve. Planet konfuze, të ndryshueshme, jotransparente për vaksinimin, të cilat shkojnë nga 14 muaj dhe më shumë, njëkohësisht nuk mund të jenë alibi për të braktisur aktualisht me mijëra qytetarë të infektuar dhe dhjetëra që për fat të keq po humbin jetën çdo ditë”.

“Vetëm kriteret shkencore të gjendjes shëndetësore dhe të moshës, të vendosura ndërkombëtarisht, janë ato që duhet të vendosin përparësitë në vaksinimin e popullatës. Kriteret e ndarjes klasore, preferenciale dhe të përzgjedhjes arbitrare dhe selektive të njerëzve  për të marrë këtë shërbim jetik, janë tipike për diktaturat dhe diktatorët”, tha Meta.

Presidenti theksoi se, “nuk mund të lihen më qendrat spitalore dhe sidomos shërbimet reanimatore pa pajisje jetëshpëtuese, si respiratorë, ventilatorë, eko etj, dhe barnat e domosdoshme për të luftuar këtë pandemi kërcënuese. Nuk mund të lihen me mijëra mjekë të familjes dhe infermierë të qendrave shëndetësore pa pajisje mbrojtëse dhe mjete diagnostike. Nuk mund të lihen qytetarët nën panikun dhe pamundësinë për t’u përballur me çmimet shumë të larta të testimit dhe aq më shumë të mjekimit të kësaj pandemie të rrezikshme dhe kërcënuese për jetën. Nuk mund të lihen qytetarët si dhe mijëra të sëmurë në mëshirë të fatit, të cilët trajtohen në banesë, dhe nuk iu rimbursohet asgjë nga kosto e mjekimit dhe e shërbimeve mjekësore, të cilat kushtojnë shumë shtrenjtë”.

Pa dyshim, nënvizoi Meta, “që është koha përsëri për të rishikuar Buxhetin e Shtetit, në mbështetje të sektorit të shëndetësisë dhe duke investuar në mënyrë konkrete dhe jo sekrete aty ku janë përparësitë, të cilat janë theksuar prej kohësh, që në fillim të pandemisë”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.