Nis vaksinimi antikovid për bluzat e bardha në Fier/ Brenda marsit 40 mijë doza nga marrëveshja me “Pfizer”


TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Ka nisur vaksinimi antikovid edhe për mjekët dhe infermierët në Fier.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ndoqën nga afër procesin e vaksinimit, nga ku deklaruan se do të intensifikohet vaksinimi për mjekët, infermierët dhe të moshuarit në të gjithë vendin, në javët në vijim.

Ministrja tha se, “vetëm sot kemi vullnetin që të bëjmë mbi 1 mijë vaksinime, 500 në Tiranë, janë rreth 200 vaksinime në Shkodër, 200 në Vlorë dhe në Fier kemi 130 vaksinimet e para”.

Ajo tha se, “përveç qendrave të përqendruara, kemi krijuar edhe mjedise brenda strukturave tona për të bërë një vaksinim më të shpejtë dhe kapilar që të mbrojmë ata që na mbrojnë ne, që janë mjekët dhe infermierët”.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama tha se, “të dielën do të fillojmë dhe me të moshuarit 80 plus, që janë kategoria e parë sipas planit që e kemi paralajmëruar me kohë. Mbarojmë me bluzat e bardha dhe me shtëpitë e të moshuarve dhe kalojmë te të moshuarit + 80. Janë mërzitur disa, sepse kujtojnë ose s’kujtojnë asgjë, por duan të bëjnë zhurmë, që kur folëm për personalitete kemi parasysh përjashtime nga kategoria, por në fakt ne kemi qenë qartësisht sipas planit dhe flitet për disa personalitete që janë në atë kategori, që janë 80+ dhe që janë pjesë e mbi 80-vjeçarëve që do të vaksinohen”.

Në këtë pikë, ministrja sqaroi se, “që në të gjitha fushatat e vaksinimit kudo në botë janë figura të rëndësishme, personalitete që shërbejnë për të motivuar të tjerët për të bërë vaksinimin. Dhe këtu duhet kuptuar që nuk kemi të bëjmë me një process të lehtë. Është një proces që kërkon edhe bindje, prandaj quhet fushatë vaksinimi dhe nuk quhet thjeshtë një proces vaksinimi. Fushata e vaksinimit ka disa komponentë dhe mbi të gjitha është komunikimi me publikun dhe sa më shumë të kemi dëshmitarë që tregojnë se sa e rëndësishme është vaksinimi për të gjitha grupmoshat dhe ato kategori që janë më të riskuara, aq më e suksesshme do të jetë fushata jonë, dhe aq më kapilare do të jetë ajo”.

Ajo tha se, “nuk do të jemi në vaksinim vetëm në qendrat e mëdha në stadiume, por do të shkojmë në qendra shëndetësore dhe sa më shumë qytetarët të informohen, aq më e suksesshme do të jetë fushata jonë dhe vaksinimi i popullatës”.

Rama tha se, “sfida është sigurimi i dozave në mënyrë që sasia e vaksinave që bëhen, të rritet në progresion. Ju e keni parë që nuk është e lehtë. Kemi garancinë që brenda marsit do të kemi plot 40 mijë dozat që kemi lidhur marrëveshjen me ‘Pfizer’, por shpresojmë shumë që brenda një kohe të shkurtër do të kemi të tjera vaksina për të cilat po punojmë përditë sepse duam që ta mbarojmë për 14 muaj.

“14 muaj është ambicioze. Kemi pare të gjitha kalendarët e vendeve të tjera dhe është më ambiciozët si objektiv, por do të bëjmë çmos që ta realizojmë me gjithë vështirësinë e tmerrshme që ka situata. Dje po lexoja një raport që janë 140 shtete, përfshirë edhe shtete në rajonin tonë që nuk kanë asnjë dozë deri tani dhe nuk kanë asnjë perspektivë të qartë për momentin”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.