TIRANË, 13 janar/ATSH-A. Fortuzi/ Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani do të vazhdojnë të qëndrojnë në regjimin e posaçëm, “41-Bis”. Kërkesa e tyre për të dalë nga ky regjim, është rrëzuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO).
Gilmando Dani dhe Emiljano Shullazi, prej 1 gushtit ndodhen në qelitë e izolimit të sigurisë së lartë, të njohur regjimi “Bis-41”, i cili parashikon qëndrimin për një periudhë deri në një vit në një dhomë të monitoruar me kamera 24 orë, pa takime pa kontakt me botën jashtë, pa të drejtë të televizorit në dhomë. Ligji për regjimin e posaçëm njohur si “41-bis” i marrë nga modeli italian i sigurisë në burgje, ka hyrë në fuqi prej janarit 2019 dhe duhet një vendim i SPAK dhe i institucioneve të tjera të drejtësisë dhe sigurisë, që një i dënuar të kaloi nga regjimi normal, tek regjimi “41-Bis”.
Gilmando Dani dhe Shullazi kanë ankimuar vendimin për izolimin e tyre, por Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka vendosur të mos e pranojë kërkesën tyre, duke lënë në fuqi vendimin për të vijuar të izoluar në qelitë e posaçme ’41-bis’
Së bashku me Shullazin dhe Danin, në këto qeli janë edhe Arbjon Alika dhe Genci Balla, Blerim Shullazi, Endrit Zela dhe Endrit Qyqja. Grupi i Shullazit është duke u përballur me drejtësinë në Gjykatën e Apelit të Posaçëm. Grupi i Shullazit u dënua nga shkalla e parë për “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim, “Kanosje për shkak të detyrës” në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal”. /j.p/






















