Programi “BE për shkollat”/ Nis puna për rindërtimin e dy shkollave në Krujë dhe Durrës

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ “Korab Muça” në Krujë dhe “Hysen Çela” në Durrës janë dy nga shkollat e para ku kanë filluar punimet e rindërtimit.

56 objekte të tjera arsimore të prekura nga tërmeti i vitit të kaluar do të rindërtohen falë programit prej 75 milionë eurosh “EU4Schools”, zbatuar nga UNDP Albania.

“Pas vizitës në të dy kantieret, i lumtur të shoh progres konkret. Shkollat janë simboli i vërtetë i rimëkëmbjes për shoqërinë dhe ofrojnë një fillim të ri për fëmijët. Krenar që 20 000 fëmijë shqiptarë do të përfitojnë nga Programi “EU4Schools”, u shpreh ambasadori i BE-së Luigi Soreca

Shkolla “Korab Muça” në Krujë, është një nga 58 shkollat e prekura nga tërmeti i vitit të kaluar që do të rindërtohet falë programit “BE për shkollat” i zbatuar nga UNDP.

Së shpejti më shumë se 200 fëmijë do të kenë mundësi të mësojnë në mjedise të reja moderne të ndërtuara sipas standardeve të BE-së.

Sazan Shira, drejtor i shkollës dhe kopshtit “Korab Muça”, u shpreh se, “realisht kemi pasur nevojë për shkollë. Kontrasti është aq i madh dhe evident, sa kemi vetëm falënderime”.

“Ne e prisnim një shkollë modeste të vogël. Falënderojmë UNDP-në, BE-në, donatorët. Në çdo moment jemi pyetur për shkollën që duam”, tha ai.

Ambasadori i BE, Luigi Soreca theksoi se, “patëm një diskutim të gjatë me fëmijët dhe mësuesit për të siguruar që ato do të jenë shkollat më të mira për ta”.

Limya Eltayeb, përfaqësuese e përhershme e UNDP në Shqipëri tha se, “arsimi nuk ndihmon vetëm fëmijët, prindërit dhe familjet drejtpërdrejt, por në mënyrë jo të drejtpërdrejtë edhe ekonominë, sepse po investojmë për të ardhmen e Shqipërisë”.

Edhe shkolla “Hysen Çela” në Durrës po rehabilitohet me fondet e BE-së. 1370 studentët e saj do të kenë një palestër, një shesh të vogël sportiv dhe shumë pajisje moderne.

“Përqasja jonë është të rindërtojmë më mirë, ndaj po rindërtojmë më mirë dhe po ndërtojmë së bashku”, tha Eltayeb.

Ndërsa ambasadori Soreca shtoi se, “kantieri i ndërtimit që vizituam sot është mishërim i solidaritetit mes BE-së dhe Shqipërisë”. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.