Nga viti i ardhshëm fermerët përfitojnë naftë pa taksa/ Ulet kostoja e prodhimit dhe rritet konkurrueshmëria

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Në Kosmaç të Vaut të Dejës, fshati me sipërfaqen më të madhe të serrave në veri të Shqipërisë, prodhohen çdo vit rreth 10 mijë tonë perime, të cilat shkojnë më pas për eksport dhe tregun vendas.
Kryeministri Edi Rama solli sot shembuj nga fermerët e kësaj zone, ndërsa theksoi se “pavarësisht pandemisë ky vit ka qenë i mbarë për eksportet bujqësore, prodhimin dhe çmimin e favorshëm për fermerët”.
“Këtë pohon edhe Ervis Mlloja, që bashkë me vëllain kanë bërë këtë vit mbjelljen e tretë në serrat e tyre ku kultivojnë sallatë dhe domate. Lajm i mirë për Ervisin dhe fermerët e mbarë vendit se duke nisur nga viti i ardhshëm do të përfitojnë naftë pa taksa për punimet në bujqësi. Kjo do të ulë koston e prodhimit dhe do të rrisë konkurrueshmërinë e produkteve tona”, tha Rama.
“Programi IPARD, thirrja e tretë e të cilit hapet më 10 dhjetor, është një mundësi e mirë për të mbështetur ndërtimin e një pike grumbullimi të domosdoshme për Kosmaçin”, shtoi ai.
Ndërkohë ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi u shpreh se “çmimi dhe tregu këtë vit ka qenë shumë i mbarë dhe shumë i mirë”.
“Përveçse janë shitur produktet dhe nuk ka mbetur produkt pa u shitur edhe çmimi ka qenë i lartë. Është ajo që kemi thënë që ne me gjithë politikat që po ndjekim në bujqësi po stimulojmë eksportin dhe çmimi është i lartë për shkak të eksportit. Kjo cilësi shumë e  mirë shkon menjëherë në eksport. Kjo rrit në mënyrë të qëndrueshme prodhimin në sektorin e bujqësisë”, tha ai.
Çuçi përfitoi nga rasti për t’iu dhënë fermerëve lajmin e mirë që do të subvencionohet karburanti për bujqësinë.
“Kemi planifikuar rreth 1 miliard lekë vitin e parë dhe do të shohim se si do të funksionojë skema. Presim që rreth 70 mijë fermerë t’i bashkohen skemës për të përfituar nga kjo ndihmë direkte për të subvencionuar taksën e karburantit në bujqësi. Biseduam këtu për rreth 10 mijë ton perime që bëhet çdo vit, ndaj është e domosdoshme të ketë një pikë grumbullimi moderne. Përfitoj nga rasti t’i nxisim të përfitojnë në skemat e IPARD-it. Ne shumë shpejt do të hapim thirrjen e 3 të IPARD 2 dhe për investime në fermë kemi hapësira. Mirëpresim propozime nga kjo zonë me këtë prodhimtari kaq të lartë të produkteve bujqësore për të ngritur një pikë grumbullimi moderne që asnjë produkt të mos iki dëm”, tha ai./m.m/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.