Autoriteti i Aviacionit Civil inspekton Aeroportin e Rinasit, vlerësim nivelit të shërbimit

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) kreu një inspektim në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, në kuadër të realizimit të funksioneve të tij mbikëqyrëse.

Sipas AAC-së, objekt i inspektimit ishte verifikimi i zbatimit të indikatorëve të performancës nga ana e këtij ofruesi.

Aeroportet në mbarë botën përpiqen t’u ofrojnë udhëtarëve të tyre shërbim cilësor dhe të sigurt.

“Një faktor kyç për të pasur sukses në bërjen e një aeroporti të besueshëm dhe efikas është matja e performancës në drejtim të indikatorëve si koha e pritjes, hapësira, kontrolli i sigurisë dhe kufirit, cilësia e shërbimeve dhe mjedisi. Me anë të inspektimeve mbi indikatorët e performancës, sigurohemi që masat në përdorim mbeten të dobishme. Kjo lejon vlerësimin e nivelit të shërbimit në një aeroport dhe krahasimin e tij me standardet e industrisë”, bën të ditur AAC.

Gjatë këtij aktiviteti monitorues u inspektua fizikisht aeroporti edhe për të verifikuar se sa efektivisht po veprohet në parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Duke respektuar të gjitha masat dhe protokollet në fuqi, aeroporti do të luajë një rol qëndror në ringjalljen e ekonomisë duke lidhur shtetet me njëri – tjetrin, në mënyrë që sektori i transportit të kryejë rolin e tij jetësor ekonomik”, bën të ditur AAC.

/a.gjonaj/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.