TIRANË, 20 mars/ATSH/ – “Ju mund të mbështeteni tek ne!” u shpreh dje Ministri gjerman i Shtetit, Michael Roth teksa telefonoi Ministrin në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj.
“COVID-19 është një kërcënim global. Ai nuk njeh kufij, nuk ka kombësi dhe prek të gjithë në mënyrë të barabartë. Kjo është arsyeja pse solidariteti dhe uniteti në Bashkimin Europian është thelbësor”, theksoi Roth.
“Është e rëndësishme që BE të fillojë bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut tani. Ju mund të mbështeteni tek ne! ”, u shpreh Roth duke falenderuar Cakajn për bisedën.
Ndërsa Cakaj në lidhje me bisedën telefonike me ministrin Roth u shpreh se “e falënderova për mbështetjen e pakursyer për Shqipërinë dhe qasjen shumë largpamëse e për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi”.
“Roli i Gjermanisë në mbështetjen e reformave të brendshme dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë është i pazëvendësueshëm”, tha Cakaj.
Po ashtu, shtoi Cakaj, “ndamë krejtësisht të njëjtën pikëpamje lidhur me progresin përmbajtësor të Shqipërisë dhe domosdoshmërinë e çeljes së bisedimeve për anëtarësim në BE një orë e më pare”.
“Shqipëria nuk ka asnjë alternativë tjetër veç përparimit të mëtejmë në drejtim të anëtarësimit në BE”, theksoi Cakaj.
/gj.mima/























