Ballina Bota

AUSHVIC – Duda dhe të mbijetuarit vendosin kurora me lule përpara ”Murit të vdekjes”

VARSHAVË, 27 janar /ATSH-PAP/ – Disa dhjetëra ish-të burgosur të kampit dhe presidenti polak, Andrzej Duda vunë kurora me lule përpara “Murit të vdekjes”, në vendin e ish-kampit nazist të vdekjes në Aushvic, në Osviecim, në përkujtim të 75-vjetorit të çlirimit të kampit.

Më shumë se dhjetëra liderë shtetesh, përfshirë presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, presidentin izraelit Reuven Rivlin dhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenski, do të marrin pjesë në ceremoni duke filluar nga ora 15:30.

Gjermanët krijuan kampin e Aushvicit në vitin 1940, fillimisht për burgosjen e polakëve.

“Auschwitz II-Birkenau” u hap dy vjet më vonë dhe u bë vendi kryesor për shfarosjen masive të hebrenjve.

Në kompleks kishte gjithashtu një rrjet të ashtuquajturish nënkampe. Gjermanët vranë të paktën 1,1 milionë persona në Aushvic, kryesisht hebrenj, por edhe polakë, romë dhe të burgosur sovjetikë të luftës.

Kampi u çlirua nga Ushtria e Kuqe më 27 janar 1945.

Në vitin 1947 kampi u shpall vend përkujtimor kombëtar./ /sara/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKombëtarja e Futsal/ Trajneri Resuli dhe futbollisti Kaca: Jemi kokë grupi, e kemi detyrim kualifikimin
Artikulli tjetërShërbim pa ndërprerje, cilësor dhe pa vonesa për urgjencat pediatrike