BRUKSEL, 30 tetor/ATSH-DPA/ Komisioni Europian propozoi sot fillimin e negociatave për shkëmbimin e të dhënave personale me Zelandën e Re në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të rëndë, pas sulmeve vdekjeprurëse të xhamisë Christchurch.
Më 15 mars, në një qytet në ishullin jugor të Zelandës së Re, një burrë sulmoi dy xhami me mitraloz, duke lënë të vdekur 51 persona.
Komisioni, rekomandoi që vendet anëtare të BE-së të autorizojnë fillimin e negociatave për një marrëveshje që lejon agjencinë policore të BE-së, Europol, të shkëmbejë të dhëna personale me homologët e saj të Zelandës së Re për qëllime të zbatimit të ligjit.
“Pasi marrëveshja të përfundojë, ajo do të përfshijë mbrojtjen e nevojshme të të dhënave, privatësinë, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive. Do të lejojë që të dyja palët të bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit, krimit kibernetik dhe drogës”, deklaroi komisioni. / /sara/r.e/






















