Studentët që studiojnë në SHBA, Ambasada publikon rregullat për rinovimin e vizës

TIRANË, 12 Shtator /ATSH/ Ambasada amerikane në Tiranë ka njoftuar sot mbi procedurat që duhet të ndjekin të gjithë studentët që studiojnë në SHBA dhe që duhet të rinovojnë vizën.

Ambasada sqaron se nuk është e nevojshme që studentët të udhëtojnë drejt Shqipërisë për të rinovuar vizën, pasi për sa kohë që studentët frekuentojnë rregullisht universitetin, ata mund të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara edhe nëse viza iu ka skaduar.

“Mbajtës të vizave studentore. Nuk është e nevojshme të bëni gjithë atë udhëtim për në Shqipëri gjatë pushimeve verore vetëm për të rinovuar vizën tuaj. Për sa kohë që frekuentoni rregullisht universitetin tuaj, ju mund të qëndroni në Shtetet e Bashkuara edhe nëse viza ju ka skaduar. Gjithsesi, nëse largoheni nga Shqipëria dhe viza juaj është duke skaduar, sigurohuni që të caktoni një takim për ta rinovuar vizën. Planifikoni në kohë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.