TIRANË, 29 mars/ATSH/ Edhe pse me tre gjyqtarë, Gjykata e Lartë vazhdon shqyrtimin e dosjeve gjyqësore të regjistruara, përfshirë këtu edhe çështje të themelit.
Për shkak të situatës së krijuar me të cilën përballet sot kjo gjykatë, përparësi i është dhënë shqyrtimit të çështjeve më urgjente me natyrë civile, administrative dhe penale.
“Vetëm ditën e enjte, 28 mars, trupa gjyqësore arriti të marrë vendime për rreth 130 dosje të tilla. Ndërkaq edhe këshilltarët e mbetur (aktualisht 9), vazhdojnë studimin e dosjeve dhe hartimin e relacioneve përkatëse, bazuar në Urdhrin e Brendshëm të Kryetarit të Gjykatës së Lartë”, thuhet në një njoftim për shtyp të Gjykatës së Lartë.
Për sa i takon tremujorit, numri i dosjeve të regjistruara në Gjykatën e Lartë është rreth 31 mijë, prej të cilave 16 mijë dosje civile, 10 mijë dosje administrative dhe 5 mijë dosje penale. /m.m/r.e/























