Ballina Ekonomi

Lehtësohen procedurat e kredidhënies për fermerët dhe sipërmarrësit në bujqësi

TIRANË, 29 mars/ATSH/ – Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë një takimi të zhvilluar me përfaqësues të institucioneve financiare dhe me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi kanë diskutuar rreth mundësive që “Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar” – AASF ofron për fermerët dhe agrobiznesin shqiptar.

Gjatë takimit, ministrja Denaj theksoi se “Projekti i financuar dhe zhvilluar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në bashkëpunim dhe me mbështetje nga Qeveria shqiptare, lehtëson procedurat e kredidhënies për fermerët dhe sipërmarrësit në fushën e bujqësisë”.

“Qeveria garanton një mbulim të parë rrezikut të humbjeve për institucionet financiare që do të japin kredi me një kolateral tanimë shumë më të vogël sesa vlera reale e kredisë për përfituesit. Shuma totale e vënë në dispozicion të sektorit të agrobiznesit me mbështetjen e BERZH arrin deri në vlerën totale prej 180 milionë euro. Sot këtij programi, krahas Socgen Bank, ProCredit Bank, Intesa SanPaolo Bank dhe Fondit Besa, iu bashkua edhe Raiffeisen Bank e cila do të ofrojë gjithashtu këtë shërbim, çka mendohet të jetë vlerë e shtuar për një mbështetje më të madhe ndaj sektorit të bujqësisë në vend”, – theksoi ministrja Denaj.

/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak31 mijë dosje të regjistruara në Gjykatën e Lartë
Artikulli tjetërAmbasada e SHBA: Roli i Shqipërisë në Aleancë