Agjencia Telegrafike Shqiptare

31 mijë dosje të regjistruara në Gjykatën e Lartë

TIRANË, 29 mars/ATSH/ Edhe pse me tre gjyqtarë, Gjykata e Lartë vazhdon shqyrtimin e  dosjeve gjyqësore të regjistruara, përfshirë këtu edhe çështje të themelit.

Për shkak të situatës së krijuar me të cilën përballet sot kjo gjykatë, përparësi i është dhënë shqyrtimit të çështjeve më urgjente me natyrë civile, administrative dhe penale.

“Vetëm ditën e enjte, 28 mars, trupa gjyqësore arriti të marrë vendime për rreth 130 dosje të tilla. Ndërkaq edhe këshilltarët e mbetur (aktualisht 9), vazhdojnë studimin e dosjeve dhe hartimin e relacioneve përkatëse, bazuar në Urdhrin e Brendshëm të Kryetarit të Gjykatës së Lartë”, thuhet në një njoftim për shtyp të Gjykatës së Lartë.

Për sa i takon tremujorit, numri i dosjeve të regjistruara në Gjykatën e Lartë është rreth 31 mijë, prej të cilave 16 mijë dosje civile, 10 mijë dosje administrative dhe 5 mijë dosje penale. /m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version