TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama theksoi sot në takimin me studentë dhe pedagogë në Universitetin Bujqësor në Tiranë se “universiteti është autonom dhe autonomi do të thotë që trupa pedagogjike ka vendimmarrje të caktuara”.
Duke folur për kërkesën e tretë të studentëve, që flet për rritjen nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekanë, rektorë dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik, Rama tha se “vlerësimin e karrierës akademike nuk mund ta bëj një student, që është në universitet për tre vjet”.
“Autonomi do të thotë që studentët të kenë përgjegjësi që autonomia të funksionojë në favor të tyre, të mos jetë autonomia rrumpallë”, – nënvizoi Rama duke shtuar se situata në Universitetin Bujqësor është më mirë se në Universitetet e tjera se ka më shumë ndërlidhje dhe komunikim.
Duke iu drejtuar studentëve, Rama u shpreh se “meqenëse ti nuk dialogon ma dërgo me e-mail një ligj në glob, jo në Europë, ku pesha e votës së zgjedhjes së dekanëve dhe rektorëve është 50%, nëse e ka një vend në glob qoftë edhe Groenlanda, ku universiteti është për arinjtë e bardhë. Shpikje do bëjmë ne?”
“Ka një logjikë ajo, studentët të vijnë e të ikin, stafi pedagogjik është këtu dhe vota për rektor, dekan, këshill departamenti është vlerësim i karrierës akademike”, tha Rama. /k.s/j.p/






















