TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ – Kryeministri Edi Rama u tha studentëve se dialogun e kërkon për të arritur një pakt të shkruar me ta, ku do të jetë gjithçka transparente.
“Mbas kësaj unë ju them që duhet të bëjmë një pakt, i cili do të jetë i shkruar dhe ne do t’u japim një dokument të shkruar dhe pastaj në qoftë se ne nuk do ta mbajmë. Ju do të merrni atë dokumentin dhe do ta tundni, tani ja ku i ke të shkruara, i ke shkruar vetë e atëherë do thoni ne nuk flasim më me ty. Na gënjeve herën e parë ishte faji jonë”.
Këtë deklaratë kryeministri e bëri gjatë një diskutimi publik me studentët dhe pedagogët e Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Kryeministri Edi Rama iu tha studentëve se ai do të marrë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë pas këtij pakti të shkruar me studentët.
“Dialogu ka edhe një gjë tjetër të mirë, që unë këtu jam. Në qoftë se do kalojnë muaj dhe qeveria nuk do të bëjë gjë, atëherë dilni prapë, dhe në atë rast nuk janë më 8 pika, por është vetëm një pikë. Ti je shumë i gjatë për ne, na duhet një më i shkurtër. E kam fjalën që unë po angazhohem publikisht, sepse e kam dëgjuar edhe këtë që nuk vijmë të flasim sepse nuk kemi besim, puna jote që nuk ke besim por si ndërtohet besimi? Se në fund të fundit pse vjen te unë, sepse qeveria ka vendimmarrjen, ti vjen te unë, sepse unë kam në dorë vendimmarrjen. Unë them, po unë i kam në dorë vendimet. Por vendimet merren për të gjithë shoqërinë dhe nuk merren vetëm për ju, dhe për ju do të bëjmë 1,2,3,5”, – tha Kryeministri. /o.l/j.p/






















