Ballina Kulturë

Inspektime për restaurimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër

TIRANË, 13 shtator /ATSH/ – Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës Tiranë, kryen inspektime për detajet e fundit të projektit “Restaurimi i Xhamisë së Plumbit”, që pritet të fillojë së shpejti.

Falë mbështetjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë, projekti parashikon zgjidhjen përfundimtare të problematikës kryesore, asaj të drenazhimit dhe sistemimit të ujrave të territorit përreth, por dhe ndërhyrje konservuese, restauruese, dhe ndriçim të objektit.

Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit të Ministrisë së Kulturës me Ambasadën turke në Tiranë, dhe Agjencinë Tika.

Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitet 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushatlliu, ajo është shpallur Monument Kulture në vitin 1973 dhe është e vetmja xhami e ngelur në këtë zonë nga periudha osmane.

Ajo është e ngritur në një fushë midis lumit të Drinit dhe kodrës së Kalasë së Rozafatit. Arkitektura e saj interesante përbëhet nga një sallë lutjeje në formë katrore, nga portiku i mbyllur në veri i rrethuar me harqe, në qoshen jugperëndimore gjendet tyrbja në formë katrore dhe minarja. Në anë të sallës kryesore të lutjes, jashtë dallohen dy ballkone në formë portiku, të rrethuar me harqe në formë galerie, që rrallë ndeshet në xhami të tjera. /a.a/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFier, plan masash për rritjen e parametrave të sigurisë
Artikulli tjetërNë katër vitet e fundit, 234 mijë të punësuar