Ballina Bota

BRUKSEL – BE shpreh keqardhje për sanksionet amerikane kundër Iranit

BRUKSEL, 6 gusht /ATSH-AFP/ – BE shprehu keqardhje për vendimin e SHBA-së për të rivendosur sanksionet kundër Iranit dhe njoftoi sot hyrjen në fuqi të martën, më 7 gusht të një legjislacioni për mbrojtjen e kompanive europiane të pranishme në këtë vend.

“Ne shprehim keqardhjen e thellë për rivendosjen e sanksioneve nga SHBA-ja, për shkak të tërheqjes së kësaj të fundit nga Plani Global i Përbashkët i Veprimit (JCPOA, emri zyrtar i marrëveshjes bërthamore iraniane)”, deklaruan ministrat e Punëve të Jashtme të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, tre vende të BE-së të përfshira në marrëveshjen e arritur në 2015, në një komunikatë të përbashkët me shefen e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini.

“Ne jemi të vendosur për të mbrojtur operatorët ekonomikë europianë të angazhuar në biznese legjitime me Iranin, konform ligjeve të BE-së dhe rezolutës 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, sipas komunikatës.

“Kjo është arsyeja pse statusi bllokues, hartuar nga BE, hyn në fuqi më 7 gusht, për të mbrojtur kompanitë e Bashkimit Europian që bëjnë biznes legjitim me Iranin kundër pasojave të sanksioneve ekstraterritoriale amerikane”, theksuan nënshkruesit e deklaratës së BE-së.

“Ne presim nga Irani që të vazhdojë zbatimin e angazhimeve bërthamore në kuadër të JCPOA-së”, shtuan ata.

“Heqja e sanksioneve bërthamore është një element kryesor i marrëveshjes. Ajo parashikon të ketë një ndikim pozitiv, jo vetëm në marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike me Iranin, por kryesisht në jetën e popullit iranian”, vijon komunikata e përbashkët./
/ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSIRI – Një koalicion arabo-kurd i hapur për një shkëmbim të burgosurish me ISIS-in
Artikulli tjetërLajm i keq për Sadikun, 6 muaj larg fushave