Ballina Ekonomi

Dëmtohen 70% të kulturës bujqësore në Elbasan, Balla: Grup pune për çdo familje

TIRANË, 15 qershor/ATSH/-Një stuhi breshëri dhe shiu të rrëmbyer gjatë orëve të pasdites të së enjtes shkaktoi dëme të mëdha në disa fshatra të Njësisë Administrative Bradashesh.

Në fshatrat Shtëmajë, Ulëm, Kozan, Letan dhe Balëz pothuajse të gjitha kulturat bujqësore dhe pemtaria u dëmtuan ndërsa banorët kërkojnë ndihmë.

Deputeti i PS-së, Taulant Balla vizitoi këto fshatra ndërsa bëri me dije se nga shërbimi i agronomisë në Bashkinë Elbasan janë konfirmuar tashmë rreth 70% të kulturës bujqësore të dëmtuar tërësisht, pra pa asnjë shpresë rekuperimi.

Sipas tij, do të ngrihet  një grup në Bashki, në bashkëpunim me Drejtorinë e Bujqësisë për të verifikuar dëmet, familje për familje.

“Edhe pse ende nuk është krijuar kultura e duhur në këtë drejtim, siguracioni në bujqësi është një domosdoshmëri përballë fenomeneve natyrore të paparashikueshme dhe të paparandalueshme. Shqipëria ka marrë mbështetje për sigurimin e bujqësisë nga BERZH dhe të gjithë ata që investojnë duhet të sigurojnë investimin e tyre. Në 20 vitet e fundit me shumë se 690,000 njerëz në Shqipëri janë prekur nga katastrofat natyrore me një mesatare prej 34.000 njerëzish të prekur në vit. Megjithëse riskun e lartë të karastrofave natyrore sërish fermerët kanë hezituar të sigurojnë produktet e tyre, për shkak të mungesës së informacionit, por dhe si pasojë e tregut të sigurimeve shumë konservativ përsa i përket sektorit të bujqësisë”, përfundon Balla.

z.tosku/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Trump vendos tarifa edhe për produktet kineze
Artikulli tjetërRoboti iPal është dadoja perfekte për të vegjëlit