Ballina Lajme nga Vendi

Tirana vlerësohet në Holandë si qyteti me më shumë ndryshime mjedisore

TIRANË, 21 maj/ATSH/ – Mbjellja e mbi 122 mijë pemëve, kthimi i qendrës së qytetit në pedonale, shtimi i lulishteve dhe këndeve të lojërave, e kanë renditur Tiranën si qytetin që ka bërë më shumë ndryshime mjedisore në vitin e fundit.

Vlerësimi për kryeqytetin shqiptar vjen në prag të hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, nga Utrechti i Holandës, ku kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte i ftuar në takimin e kryetarëve të bashkive, i cili u mbajt në Javën e Gjelbër të BE-së.

Të pranishëm në këtë event të rëndësishëm për qytetet në ndryshim ishin edhe Komisioneri i BE-së për Mjedisin, Karmenu Vella, Drejtori Ekzekutiv i UNEP-it, Erik Solheim, kryetari i bashkisë së Utrecht-it, Jan van Zanen, si dhe përfaqësues të qeverisë dhe Parlamentit holandez.

Veliaj dhe homologu i tij në Utrecht, diskutuan në panelin kryesor të takimit të kryebashkiakëve me temë: “Të gjelbërojmë qytetet së bashku”. Veliaj prezantoi politikat mjedisore që po ndjek Tirana dhe se si qyteti është bërë më miqësor me fëmijët, të rinjtë dhe të gjithë ata që duan natyrën. “Është kënaqësi e veçantë që jemi në Utrecht, ku Tirana u përzgjodh si një nga qytetet që po bën revolucion në gjelbërim dhe ekonominë e qëndrueshme. E them këtë, sepse sapo filloi java europiane e qyteteve të gjelbërta dhe fakti që Utrechti prezantoi Tiranën si dy nga qytetet që kanë bërë një revolucion në botë, Utrechti në vitet ‘60, ‘70, ‘80 dhe Tirana në vitet e fundit, na bën të ndjehemi vërtet krenarë”, – tha kryetari i bashkisë së Tiranës.

Ai theksoi se ky vlerësim më së shumti shkon për qytetarët e Tiranës, të cilët kanë përqafuar politikat mjedisore të Tiranës, siç ishte edhe aksioni për mbjelljen e pemëve.

Gjatë takimeve që pati me përfaqësuesit e qeverisë dhe parlamentit holandez, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u kërkoi autoriteteve holandeze të shohin me dashamirësi hapjen e negociatave me Shqipërinë. Sipas tij, kjo do të sillte një avancim të reformave të nisura nga qeveria shqiptare.

“Unë besoj se qeveria shqiptare ka prezantuar një argument shumë të mirë të mënyrës se si kemi reformuar vendin, shtetin, por edhe ne si kryetarë bashkie se si kemi reformuar qytetet. Për shumë nga përfaqësuesit e qeverisë holandeze apo edhe të Komisionit Europian që ishin këtu sot, teksa shikojnë se si po reformohet shteti ynë nga qeveria shqiptare dhe qytetet tona nga bashkitë, besoj që kanë parë filizat e çfarë do të thotë krijimi i një qyteti dhe një shteti realisht europian. Nëse do të vazhdojmë të tregojmë historinë e transformimit të shtetit dhe qyteteve tona besoj që do e kemi më të thjeshtë teksa negociojmë anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimit Europian”, – tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës shtoi se vlerësimi që mori kryeqyteti ynë në Utrecht na jep motivim që aksioni i mbjelljes së pemëve të vazhdojë edhe më tej, për t’u kthyer në një nismë të përhershme deri në krijimin e Pyllit Orbital.

“E nisëm me 120 mijë pemë, por gjersa të mbyllim gjithë projektin tonë të Pyllit Orbital duhen rreth 2 milionë pemë. Do të thotë se mbjelljen e pemëve do ta kthejmë në një nismë vjetore, nga fillimi i tetorit deri në fund të marsit. Nëse vazhdojmë me ritmin këtë vit me 120 mijë pemë, nuk do të jemi larg nga dita që do të jemi një qytet si Utrechti, apo si shumë qytete të tjera që e filluan këtë proces para 40-50 vitesh”, – deklaroi Veliaj. /z.tosku//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNdërhyrjet nuk janë zbukurime, por janë ekonomi
Artikulli tjetërSPANJË – Rajoy: Torras të formojë një qeveri të besueshme