TIRANË, 9 maj/ATSH/- Përdorimi i qeseve plastike është një nga shkaqet pse vendi ynë është karakterizuar nga papastërtia ndër vite ndërsa qeveria ka menduar të ndalojë prodhimin apo eksportimin e këtyre të fundit për të mbrojtur mjedisin.
Mbrojtja e mjedisit dhe pastrimi i tij nga papastërtia si dhe aksioni i nisur tashmë prej disa muaj për të pastruar Shqipërinë bëri bashkë sot ministrin e Turizmit, Blendi Klosi në një takim diskutues me grupet e interesit.
Sipas Klosit, mbrojtja e mjedisit ndodhet në fazën përmbyllëse ndërsa është shprehur se operacioni vullnetar për të pastruar Shqipërinë do të mundësojë faktin që vendi ynë të jetë jo vetëm më i gjelbëruar në rajon, por edhe më i pastër. Ministri është shprehur se “Shqipëria nuk është pis, por e papastër. Me pak ndërhyrje mund të realizojmë gjëra të mëdha”.
Klosi ftoi qytetarët të refuzojnë të shërbehen me qese, ndërsa shtoi se biznesi duhet të sensibilizohet dhe informohet që të mos shërbejë më me qese plastike.
Ndalimi i qeseve plastike
‘Nisma Ime’, si pjesë e platformës së bashkëqeverisjes me njerëzit, është përdorur nga grupe interesi për të sjellë në vëmendjen e qeverisë mospërdorimin, ndalimin e prodhimit, tregtimit dhe importimit të qeseve ambalazheve plastike. Pas dy muajsh, pas hyrjes në fuqi të këtij projektvendimi, do të ndalohet prodhimi i qeseve dhe shkelësit e ligjit do të gjobiten nga 1 deri në 15 milionë lekë të vjetra. Qeset që do të prodhohen duhet të jenë 35 mikron për çdo anë. Ndalimi dhe prodhimi i qeseve do të monitorohet nga zv/ministrja Ornela Çuçi. Javën tjetër nis aksioni i ndërgjegjësimit për ndalimin e qeseve plastike dhe zëvendësimin e tyre me trasta.
Rregullat e reja për funksionimin e guroreve
Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi tha se falë miratimit të rregullave të reja të guroreve do të mbrohet jo vetëm, mjedisi por sidomos jeta e njerëzve. Ai tha se qeveria mbështet edhe këtë lloj biznesi, por ky i fundit nuk duhet të jetë në konflikt të hapur me jetën e njerëzve. Sipas Klosit, tashmë janë qytetarët që po flasin në përditshmërinë e tyre për mjedisin dhe kjo do të thotë se njerëzit kanë përkrahur aksionin vullnetar për pastrimin e vendit. Klosi tha se me pak veprime të guximshme, Shqipëria deri në 2020 do të jetë një nga vendet më të pastra në rajon.
/z.tosku/























