TIRANË, 5 maj /ATSH-AZERNEWS/ – Në fund të prillit, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) përfundoi me sukses segmentin e parë të mikrotunelit të tij në rajonin e Skraparit, sipas një mesazhi nga konsorciumi TAP AG.
“Rreth dy muaj pas fillimit të punimeve, makina shpuese përfundoi së hapuri në pjesën lindore segmentin e mikrotunelit 560 metra të gjatë”, thuhet në këtë mesazh.
“Kontraktori i TAP, Spiecapag dhe nënkontraktori Bessac arritën të përfundojnë këtë fazë në kohë me afatet e projektit dhe pa asnjë incident. Mikrotuneli është ndërtuar duke përdorur teknologji të fundit, që garantojnë siguri ndërkohë që minimizojnë impaktin në mjedis. Me pjesën lindore të përfunduar, do të fillojë puna në segmentin perëndimor të mikrotunelit”, njoftoi konsorciumi.
“Mikrotuneli në Çorovodë përbëhet nga tuneli lindor, tashmë i përfunduar, prej 560 metra në lindje dhe seksioni prej 600 metrash në perëndim”, sipas këtij mesazhi.
Mikrotuneli do të jetë 1.5 kilometra i gjatë, me një diametër prej 1.8 metrash dhe ka shmangur çdo impakt në brigjet e lumit Osum dhe ndërtimin e një rruge të re lidhëse.
Rajoni i Skraparit, një zonë malore ku TAP do të arrijë 1 800 metra mbi nivelin e detit, përbën shumë sfida për ndërtimin e këtij gazsjellësi, për shkak të rreziqeve gjeologjike të shumta, shpatet e pjerrëta malore dhe përbërja gjeologjike.
Projekti TAP, me vlerë 4.5 miliardë euro, është një prej projekteve energjetike prioritare për Bashkimin Europian. Ky projekt synon të transportojë gaz nga Azerbajxhani drejt vendeve të BE-së.
I lidhur me Gazsjellësin Trans Anadollian (TANAP) në kufirin greko-turk, TAP-i do të kalojë në veri të Greqisë, në Shqipëri dhe detin Adritaik para se të dalë në jug të Italisë ku do të lidhet me rrjetin italian të gazit natyror.
Projekti është aktualisht në fazën e tij e ndërtimit, që filloi në vitin 2016.
Pasi të ndërtohet, TAP do të mundësojë një rrugë transportimi direkte dhe me pak kosto duke hapur Korridorin Jugor të Gazit, shumë të rëndësishëm, që është 3 500 kilometra i gjatë dhe që lidh detin Kaspik me Europën.
/G.S/























