SEUL, 24 prill /ATSH-AFP/ – Lideri koreano-verior, Kim Jong Un do të ndërmarrë të premten një veprim historik, në vizitën e parë në Jug për të mbajtur një samit me presidentin, Moon Jae-in që synon të konkretizojë shpresat e paqes midis dy fqinjëve pas një afrimi diplomatik në fillim të vitit.
E ardhmja e arsenalit atomik të Phenianit pritet të jetë në qendër të diskutimeve midis dy liderëve, të cilët do të trajtojnë gjithashtu çështjen e një traktati paqeje për t’i dhënë fund zyrtarisht Luftës së 1950-1953.
Ndër të tjera, është hera e parë që një lider koreano-verior viziton Jugun prej armëpushimit të nënshkruar rreth 65 vite më parë. Dy samitet e para ndërkoreane, në vitin 2000 dhe 2007 u mbajtën në Phenian.
Ky takim në Panmunjom, ”qyteza e armëpushimit” pritet t’i hapë rrugë një samiti edhe më të shumëpritur, disa javë më vonë, midis presidentit koreano-verior Kim dhe atij amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan pranoi propozimin koreano-verior për organizimin e një samiti dhe Kim vizitoi në muajin mars Pekinin në vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit prej marrjes së pushtetit në fund të vitit 2011.
‘’Shpatë e çmuar’’
Akush nuk do të kishte vënë bast për një skenar të tillë në fund të vitit të kaluar, në momentin kur Koreja e Veriut pritej të kryente testin e saj të gjashtë bërthamor dhe te rriste ndjeshëm lëshimet e raketave me kërcënimin se do të godiste SHBA-në me ”zjarr atomik” në sfondin e shkëmbimeve të ofendimeve midis Trump-it dhe Kim-it.
Ndërsa Pheniani po orientohej drejt çeshtjes bërthamore, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ashpërsoi sanksionet në vitin 2016 dhe 2017.
Uashingtoni i kërkon Phenianit të heqë dorë nga armët bërthamore që regjimi koreano-verior i konsideron si një ”shpatë të çmuar”, një formë sigurie për jetën përballë kërcënimeve amerikane për pushtim.
Të shtunën Kim njoftoi një moratorium për testet bërthamore dhe lëshimet e raketave balistike me rreze të gjatë veprimi, duke konfirmuar se objektivat ishin arritur.
– Arsyetime të kundërta –
Çështja më urgjente për Trump është të pengojë Korenë e Veriut për ideimin e një rakete ndërkontinentale. Për Korenë e Veriut bëhet fjalë për të shmangur sulmet amerikane dhe për të negociuar në pozitën e një fuqie bërthamore për të përmirësuar ekonominë.
Koreja e Jugut kërkon të çojë Veriun dhe SHBA-në për të dialoguar për arritjen e një zgjidhje paqësore dhe forcuar lidhjet ndërkoreane.
Dhe në botën e koklavitur të diplomacisë koreane, një shprehje e njëjtë mund të kuptohet krejt ndryshe.
Dy samitet e mëparshme në vitin 2000 dhe 2007 nuk e penguan Phenianin për të vijuar një program bërthamor që regjistroi një përshpejtim të konsiderueshëm nën drejtimin e Kim Jong Un.
”Mundet që ky i fundit të vetëndihet tashmë në një pozitë të favorshme, por mundet gjithashtu që sanksionet gjithnjë e më të ashpra e kanë bërë më të predispozuar se kurrë për të bërë kompromise”, sipas Hong Min, ekspert në Institutin korean për Unifikimin Kombëtar.
Një skenar ideal vijon ai, do të ishte që Kim të shprehë të premten një angazhim të qartë për denuklearizimin ku detajet, një kalendar i inspektimeve të OKB-së, do të trajtohen gjatë samitit me Trump./ /v.b/ a.jor.























