TIRANË, 17 Prill/ATSH-Maela Marini/.- Pastrimi i mbetjeve përgjatë liqenit të Pogradecit, në Volorekë dhe në lumin Devoll janë disa nga pikat e “nxehta” ku po ndërhyhet me prioritet në Qarkun e Korçës në kuadër të aksionit “Të pastrojmë tokën që duam”.
Në një prononcim për ATSH-në, Prefekti i Qarkut të Korçës, Dhori Spirollari shprehet se në të gjitha bashkitë e këtij qarku nuk është pritur për të filluar aksioni kombëtar, pasi është punuar dhe vazhdon të punohet në vijimësi.
Por sipas tij, në kuadër të javës së tokës është intesifikuar puna në disa pika kyçe si buzë liqenit të Pogradecit, në zonat e plazhit, në Volorekë, në liqenin e Prespës dhe kryesisht përgjatë lumit Devoll dhe degëzimit të Dunavecit, ku janë dhe një pjesë e mbetjeve që krijojnë një pamje jo të mirë.
“Mjediset e tjera në sajë të punës që është bërë nga bashkitë dhe inspektoriatet janë të pastra, pasi punohet përditë dhe nuk pritet të punohet me aksion”, tha Spirollari për ATSH-në.
Për realizimin e një mjedisi të pastër për sezonin turistik, sipas tij, “janë ngarkuar ndërmarrjet e bashkive dhe kompanitë kontraktore që të realizojnë detyrën sipas ligjit”.
“Janë aktivizuar strukturat e Forcave të Armatosura dhe mjete të kompanive private. FA janë duke punuar në Pustec dhe në vazhdimësi do të përqwndrohen edhe në Pogradec, aty ku ka edhe më shumë probleme që janë të mbartura”, tha Prefekti i Qarkut të Korçës.
Në fund të aksionit, Spirollari shprehu bindjen se “do të ketë një mjedis shumë më të pastër”.
Disa të dhëna nga aksioni në gjithë Qarkun e Korçës:
- Bashkia Korçë po punon te përroi i Biranjit me punonjësit e shërbimeve publike. Pas kërkesës për ndihmë me ekskavator nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit, ka filluar puna në lumin e Dunavecit.
- Bashkia Pogradec: Po vazhdon puna ne plazhin e qytetit, ne segmentin Moli – Vilat. Ka përfunduar pastrimi i lumit të qytetit dhe lumit të Vërdovës.
- Bashkia Maliq: Janë pastruar segmentet lumore në zonat e Sheqerasit, Ormanit e Pojanit. Po punohet në zonën e Maliqit dhe Sovjanit.
- Bashkia Devoll: Ka përfunduar segmenti lumor Bilisht – Baban.
- Bashkia Kolonjë: Janë pastruar segmentet lumore të Qafzezit, Selenicës dhe Qinamit. Po punohet në zonën e Helmesit e Shtikës.
- Bashkia Pustec: Me ndërhyrjen e FA ka nisur pastrimi në këtë bashki.























