Ballina Aktualitet

Meta uron Gjukanoviç: Forcim të marrëdhënieve mes dy vendeve tona

TIRANË, 16 prill/ATSH/.- Presidenti Ilir Meta uroi sot Milo Gjukanoviç për fitoren që në raundin e parë të zgjedhjeve të djeshme presidenciale në Mal të Zi.

Sipas njoftimit për shtyp të presidencës, në një mesazh dërguar Gjukanoviç Meta i uron suksese në drejtimin e mëtejshëm e të suksesshëm të Malit të Zi.

“Fitorja Juaj ishte një mbështetje e qartë për konsolidimin e orientimit euroatlantik dhe evropian të vendit, si dhe garanci për forcimin e mëtejshëm të paqes dhe bashkëpunimit rajonal. Jam i bindur se, gjatë mandatit Tuaj në drejtimin e Malit të Zi, marrëdhëniet e shkëlqyera e të fqinjësisë së mirë midis dy vendeve tona do të forcohen dhe zgjerohen edhe më tej”, thekson Meta.

Presidenti Meta nënvizon se “ju siguroj për vullnetin dhe dëshirën time për të punuar ngushtë me Ju në të ardhmen, në dobi të forcimit të këtij bashkëpunimi, por edhe për forcimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit tonë të përbashkët, ku dy vendet tona po japin një shembull të shkëlqyer”.

Lideri properëndimor malazez, Milo Gjukanoviç u zgjodh presidenti i Malit të Zi që në raundin e parë të presidencialeve të së dielës./k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakXhafaj: “Forca e Ligjit” ka skeduar të gjitha grupet kriminale në vend
Artikulli tjetërRimbursimi i ilaçeve në listë detyrim, kush e pengon do të shkojë në Prokurori