TIRANE, 5 Prill/ATSH/- Kryeministri Edi Rama shpjegoi sot në parlament arsyen se pse qeveria është e detyruar të vendosë një tarifë në këtë rrugë, e cila do t’i shërbejë mirëmbajtjes së saj.
Ai tha se “Rruga e Kombit” u kushtoi 1.3 miliardë dollarë shqiptarëve dhe se nevojiten edhe 200 milionë euro për ta përfunduar.
“Kryetari i opozitës, njeriu që drejton alternativën, ka dalë me teorinë se 200 milionët e taksës së qarkullimit duhet të shkojnë atje. Por ja vlen ta dinë të gjithë se çdo vit arka e shtetit për borxhin e ‘Rrugës së Kombit’ paguan detyrime e principalit në vlerën 42 milionë dollarë vetëm në këtë vit”, u shpreh Rama.
Sepse, vijoi ai, 1.3 miliardë eurot e “Rrugës së Kombit”, nuk janë para që i kishte në arkën e shtetit qeveria e kohës. Janë, tha kryeministri, para që u morën borxh.
“E dini sa është totali i pagesës dhe principalit për rrugët e lëna rrugëve nga ish-kryeministri Sali Berisha? 110 milionë dollarë në vit dhe paaftësia e verbëria kërkon të na çojë te ideja se taksa e qarkullimit duhet të shkojë atje. Po borxhet me çfarë parash do të paguhen. 37% është përqindja e borxhit që paguajmë nga ‘Rruga e Kombit'”, tha kryeministri.
Më tej, kreu i qeverisë, theksoi se kostoja e lartë e rrugës erdhi edhe për shkak të vjedhjes së madhe që ka ndodhur gjatë ndërtimit të asaj rruge, ndërsa premtoi se reforma në drejtësi do të çojë para dyerve të drejtësisë të gjithë ata që kanë abuzuar.
“Janë raporti i KLSH-së dhe Prokurorisë që kanë evidentuar vlerën e lartë që u grabit gjatë ndërtimit të kësaj rruge”, deklaroi Kryeministri./a.gjonaj/ /a.g/























