TIRANE, 4 Prill/ATSH/- Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi se qasja e opozitës për tarifën e vendosur për kalimin në rrugën Milot-Morinë është politike, pasi ishte vet qeveria e ish kryeministrit Sali Berisha që kishte aprovuar nivelin e kësaj tarife në masën 8-9 euro për makinë në vitin 2011, skemë e cila sipas Ahmetajt dështoi.
Deklarata e ministrit Ahemtaj u bë në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, i cili i ka kërkuar kreut të financave publike shpjegime për skemën që do të aplikohet sipas kontratës, për përdoruesit e shpeshtë të Rrugës së Kombit, banorët e zonës së Kukësit, të cilët sipas qeverisë do të kenë trajtim të ndryshëm nga udhëtarët e tjerë.
Ahmetaj tha se në dhjetor të vitit 2011 ishte qeveria e ish kryeministrit Berisha e cila shpalli garën për përcaktimin e autoritet kontraktues për dhënien me koncesion për mirëmbajtjen e ndërtimin e rrugës së mbetur në mes të autostradës Milot-Morinë.
Sipas tij, konsulenti IFC i ka paraqitur ish kryeministrit Berisha tre skenarë për këtë koncesion.
Skenari i parë parashikonte tarifë kalimi nga 5.3 në 5.9 euro pa TVSH për makinë dhe investime kapitale rreth 37 milion euro. Në këtë skenar lindte nevoja që shteti të kryente një pagesë rreth 1 milionë euro në vit nga buxheti. Skenari i dytë parashikonte tarifë kalimi nga 4-4.5 euro pa TVSH për makine dhe kontrata reduktohej vetëm në mirëmbajtje. Skenari i tretë parashikonte një tarifë 8-9 euro për makinë dhe koncesionari merrte përsipër kryerjen e një investimi prej 100-105 milionë eurosh përshirë edhe dublimin e segmentit rrugor Milot-Rrëshen.
Nga të gjitha këto skenare qeveria Berisha zgjodhi skenarin e tretë, 8-9 euro pa TVSH për makinë. Kjo konfirmohet nga IFC, por ky skenar dështoi. U konstatua se qasja ekstreme ishte jo vizibël”, shpjegoi ministri.
Këto të dhëna kronologjike,sipas ministrit Ahmetaj shërbejnë për të transmetuar te qytetarët e zonave të Kukësit, Hasit dhe Tropojës se përqasja që ka opozita sot është politike, destabilizuese dhe s’ka të bëjë me qytetarët që në të drejtën e tyre mund të ankohen për tarifën e përdorimit të rrugës.
Më tej, ministri Ahmetaj shpjegoi se në tetor të 2013-ës, IFC i ridorëzoi studimin ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës së asaj kohe, Edmond Haxhinasto.
Studimi i sugjeron ministrit të ndiqet skenari i parë (tarifa 5.3-5.9 euro pa tvsh) përmes së cilës ofrohej tarifë e pranueshme dhe minimizohej efekti në buxhet. Ahmetaj sqaroi se në dhjetor të vitit 2014 ish ministri Haxhinasto miratoi studimin e fiziblitetit. Më pas në 6 dhjetor 2016 u nënshkrua kontrata nga ministri i kohës, Sokol Dervishaj dhe koncesionari. Kontrata e koncesionit u miratua në 9 shtator të vitit 2017.
“Palët politike ti qëndrojnë larg shtrembërimit të fakteve, sepse ato tregojnë se është një proces i nisur në 2011 dhe kur të krahasohen tarifat do të shikojmë se është më e ultë se sa tarifa e e propozuar nga IFC në vitin 2014. Po ashtu tarifat janë publike që prej vitit 2016 për të gjithë qytetarët. Nëse skenari i IFC parashikonte fillimisht tarifë mes 5.3 dhe 5.9 euro pa TVSH për një makinë, marrëveshja e arritur nga qeveria jonë mundësoi një tarifë 5 euro me TVSH. Përbën një dallim thelbësor midis qeverisë Berisha ku tarifa shkonte në 6.7 euro me TVSH dhe asaj Rama ku tarifa shkon 5 euro me TVSH”, deklaroi ministri.
/a.gjonaj/ /a.g/























