SOFT NEWS – Qeveria vietnameze ndalon dasmat e shtrenjta të… administratës!

HANOI, 4 prill /ATSH-DPA / – Punonjësit qeveritarë vietnamezë janë paralajmëruar se nuk do të mund të organizojnë më dasma të shtrenjta dhe ekstravagante, njoftoi sot media zyrtare vietnameze.

“Familjet e nuses dhe dhëndrrit nuk duhet të ftojnë më shumë se 600 mysafirë apo të zhvillojnë dasma në vende të shtrenjta si hotele me 5 yje apo resorte”, raportoi gazeta vietnameze online “Vnexpress” duke cituar një dekret të Komitetit Popullor në Hanoi.

“Punonjësit e qeverisë dhe anëtarët e Partisë Komuniste duhet të japin një shembull të mirë në dasmat e tyre duke mos e ekzagjeruar “, sipas dekretit.

Çdo punonjës i qeverisë që bie në kundërshtim me direktivën do të dënohet, megjithëse nuk është bërë ende e qartë se si do të jetë ndëshkimi për ata që shkelin vendimin./ /a.i/ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.