Tiranë, 21 Mars/ATSH/- Muzika dhe piktura konsideron si ilaçi për shpirtin e njeriut, por efekti i tyre bëhet më i madh kur këto realizohen dhe vijnë nga radhët e fëmijëve.
Edukimi përmes artit tek fëmijët, po shihet gjithnjë e më shumë si një nga format me efikase për edukimin që në vogëlinë e tyre. Njëmbëdhjetë fëmijë të talentuar të kryeqytetit kanë shpalosur dhuntitë dhe idetë e tyre në skulpturë dhe pikturë. Kështu, Qendra Kombëtarë e Kulturës për Fëmijë, ka finalizuar punimet e tyre përmes një ekspozitë të çelur prej gati dy ditësh, ku fëmijëve u është dashur të punojnë për rreth 4 muaj.
Kuratorja e kësaj ekspozitë, Anisa Sala ka shpjeguar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “çelja” e kësaj ekspozitë për fëmijë është e para dhe se grupi i skulpturës për fëmijë është rihapur pas disa vitesh në qendrën kulturore të fëmijëve, pas një mungese disa vjeçare.
Duke iu referuar fëmijëve, ajo tha se këta të fundit i përkasin moshës nga 6-13 vjeç, ndërsa shpjegoi se secili prej tyre spikat në veçantinë e tij/saj.
“Mund të them që të gjithë fëmijët janë të talentuar dhe secili prej tyre spikat në të veçantën e vet dhe bota e tyre është plot me ngjyra”, tha kuratorja për ATSH-në. Lidhur me tematikat që fëmijët kanë zgjedhur të trajtojnë, skulptorja Sala ka thënë se ata kanë preferuar që në veprat e tyre të realizojnë kryesisht kafshët, kjo e fundit edhe për shkak të moshës së tyre.
Krahas kësaj ekspozitë, artistët e vegjël janë duke punuar edhe për një projekt të ri që do të zhvillohet në muajin maj, që përkon edhe me vitin e heroit Kombëtar, Skënderbeut.
“Bashkë me fëmijët po punojmë edhe për të zhvilluar një tjetër ekspozitë jo vetëm me piktura por edhe skulptura që do të jenë rreth heroit tonë kombëtar. Ky projekt përkon edhe me vitin e Skënderbeut, për të parë edhe si e perceptojnë fëmijët e vegjël figurën e heroit tonë kombëtar. Besoj do të jetë një ekspozitë e mirëfilltë dhe që do të pëlqehet shumë nga publiku”, tha kuratorja Sala. Ekspozitën e realizuar nga fëmijët e vegjël e vizituan mbi 150 artdashës.
z.tosku/

































