LONDËR, 21 mars /ATSH-AFP/ – Moska duhet të garantojë sigurinë e tifozëve britanikë që do të shkojnë në Kupën e Botës në futboll, Rusi 2018, deklaroi sot ministri britanik i Punëve të Jashtme, Boris Johnson.
“I takon rusëve të garantojnë sigurinë e tifozëve anglezë që do të shkojnë në Rusi. Kjo është detyra e tyre, sipas kontratës me FIFA-n, që të kujdesen për të gjithë fansat”, tha Johnson para një komisioni parlamentar.
“Sfida që i lëshoj autoriteteve ruse është që të tregojnë se 24 000 tifozë britanikë që kanë blerë bileta për Kupën e Botës do të trajtohen mirë, do të jenë në siguri”, shtoi shefi britanik i diplomacisë, për të cilin Kremlini është në origjinë të helmimit të një ish-agjenti rus, Serguei Skripal dhe të vajzës së tij më 4 mars në Salisbury (jugperëndim të Anglisë)./G.S/






















