Ballina Lajme nga Vendi

Ecuria e reformave në vend, Bushati vizitë zyrtare në Gjermani

Tiranë, 21 Mars/ATSH/- Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, fillon sot një vizitë pune në Republikën Federale Gjermane, si pjesë e turit të ministrit në kryeqytetet e vendeve anëtare të BE-së.

Gjatë vizitës në Republikën Federale Gjermane, ministri Bushati do të zhvillojë një takim me Ministrin e Shtetit për Europën, Michael Roth, të cilin do ta njohë me progresin e vendit në fushën e reformave dhe adresimin e prioriteteve kryesore, pritshmëritë tona në lidhje me avancimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Europian, në drejtim të hapjes së negociatave si dhe do të shkëmbejnë mendime rreth situatës në rajon dhe Europë.

Pjesë e rëndësishme e axhendës së ministrit Bushati, do të jenë një sërë takimesh me parlamentarë gjermanë, përfaqësues të forcave të ndryshme politike në Bundestag, reporterë për Shqipërinë në Bundestag, përfshirë Kryetarin e Komitetit të Politikës së Jashtme në Bundestag, Norbert Roettgen dhe Kryetarin e Komitetit për Çështjet Evropiane, Gunther Krichbaum. Një vend të veçantë do të zërë seanca dëgjimore në Bundestag, gjatë së cilës ministri Bushati do t’i njohë bashkëbiseduesit me progresin në pesë prioritetet kyçe, si dhe do t’i përgjigjet interesimit të tyre për çështje të caktuara./e.caushi/​

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSPORT – Johnson: Moska të garantojë sigurinë e tifozëve britanikë për Botërorin 2018
Artikulli tjetërPas 3 vitesh bllokimi, Kosova pritet ta votojë demarkacionin me Malin e Zi