Manastirliu në OKB: Fuqizimi i grave dhe vajzave, në fokus zonat rurale

New York, 13 Mars/ATSH/- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu po merr pjesë në sesionin e 62 të Komisionit për Statusin e Gruas, që po mbahet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York.

Gjatë tryezës ministeriale të zhvilluar sot për Praktika dhe shembuj pozitivë për fuqizimin e grave dhe vajzave rurale, ministrja theksoi fokusin që Qeveria Shqiptare i ka kushtuar fuqizimit ekonomik dhe social të grave rurale nëpërmjet skemave të punësimit dhe gjithëpërfshirjes së grave.

“Adresimi  i pengesave me të cilat përballen gratë dhe vajzat rurale, është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, si pjesë integrale e angazhimit të marrë për më shumë barazi gjinore dhe përfshirje sociale. Puna jonë është kryesisht e fokusuar në parandalimin e dhunës me bazë gjinore në zonat urbane dhe rurale; rritja e aksesit të grave dhe vajzave në sistemin gjyqësor, përmirësimi i jetës në zonat rurale, falë reduktimit të punës së papaguar në sektorin bujqësor, duke bërë të mundur që më shumë gra dhe vajza në zonat rurale të përfitojnë nga skemat e subvencionit, si dhe të garantohet e drejta mbi pronën dhe tokën bujqësore”, tha Manastirliu.

Sakaq, ajo vuri në dukje se të dhënat më të fundit tregojnë se gratë dhe vajzat në zonat rurale dhe urbane, sot në Shqipëri ndihen më besimplotë për të raportuar pranë autoriteteve, rastet e dhunës dhe abuzimit.

“Kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm në kuadër të harmonizimit të legjislacionit Shqiptar me standardet ndërkombëtare. Amendimet ligjore të ligjit mbi masat e dhunës në familje, ligjit për ndihmën juridike, kanë pasur një impakt të drejtpërdrejtë në reduktimin dhe ofrimin e zgjidhjeve më të mira për çështje kyçe me të cilat përballet shoqëria shqiptare, si dhuna kundër grave dhe dhuna në familje. Të dhënat më të fundit tregojnë se gratë dhe vajzat në zonat rurale dhe urbane, sot ndihen më besimplotë për të raportuar pranë autoriteteve, rastet e dhunës dhe abuzimit. Në vitin 2017 kemi pasur 10% më shumë raportime të dhunës në familje pranë organit të policisë krahasuar me një vit më parë”, u shpreh Manastirliu.

Ofrimi i aksesit për gratë e mbijetuara të dhunës në sistemin gjyqësor është një prioritet për qeverinë Shqiptare. Megjithatë, Ministrja theksoi në fjalën e saj të parë në sesionin e 62 të Komisionit për Statusin e Gruas, se do të duhet të intesifikojmë angazhimin tonë për të siguruar që gratë trajtohen të barabarta në sistemin tonë gjyqësor, dhe mbi të gjitha t’u ofrohet e gjithë mbështetja e duhur ligjore.

“Parandalimi i dhunës është një nga qëllimet kryesore të Strategjisë Kombëtare të Barazisë Gjinore dhe Planit të saj të Veprimit 2016 – 2020, që synon në rritjen me 30% të numrit të qytetarëve, që mbështesin strategjinë dhe vizionin e Zero Tolerancë nga dhunës kundër grave”, tha Manastirliu. /z.t/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.