Ballina Bota

SHBA – Sanders: Meksika dhe Kanadaja mund të përjashtohen nga skema e taksimit mbi importet e metaleve

UASHINGTON, 7 mars /ATSH-AFP/ – Shtëpia e Bardhë sugjeroi sot mundësinë e përjashtimit të Meksikës dhe Kanadasë nga skema e taksimit mbi importet e çelikut dhe aluminit, që pritet të njoftohet nga ekzekutivi amerikan deri në fund të javës.

”Ne besojmë se presidenti do të nënshkruajë diçka deri në fund të javës”, u shpreh Sarah Sanders, zëdhënëse e Donald Trump.

”Ka përjashtime të mundshme për Meksikën, Kanadanë dhe disa shtete të tjera”, shtoi ajo, duke përmendur mundësinë e një vlerësimi ”shtet për shtet” bazuar në kritere të sigurisë kombëtare.

Donald Trump njoftoi të enjten synimin e tij për të vendosur një taksë prej 25% mbi importet e çelikut dhe 10% mbi ato të aluminit, duke rindezur një luftë tregtare mes SHBA-së dhe aleatëve të saj.

Sekretari amerikan për Tregtinë, Wilbur Ross u përpoq të fitonte kohë duke siguruar se vendimi për zbatimin e këtyre taksave ishte ”i mirëmenduar” dhe se SHBA-ja nuk kërkonte një luftë tregtare./
/v.b/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAUSTRI – Tre të plagosur pas një sulmi me thikë në Vjenë
Artikulli tjetërParashikimi i motit, e enjte 8 Mars 2018