TIRANE, 6 Mars/ATSH/-Edhe pse të ardhurat nga renta minerare gjatë vitit 2017 rezultojnë 11.1% mbi planin, sërish ato mbetën më të ulëta se sa të ardhurat e mbledhura në vitin 2016.
Sipas ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, kjo shpjegohet me faktin se është ulur sasia e naftës bruto të eksportuar me 406 ton, e cila u destinua për përpunim vendas.
Referuar raportit mbi treguesit fiskal të publikuar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë, të ardhurat nga renta minerare në eksport gjatë vitit 2017 janë realizuar në vlerën 2.3 miliard lekë, 16.8% ose 471 milion lekë më pak, krahasuar me 2016-n. Ato llogariten 11.1% ose 233 milion lekë më shumë se plani.
Por, rritja e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare ka zvogëluar hendekun e krijuar me rreth 383 milionë lekë.
“Të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto janë ulur me 874 milion lekë për shkak të rënies së sasisë së eksportuar, me rreth 406 mijë ton e destinuar kjo për përpunim vendas dhe janë rritur me 383 milion lekë për shkak të rritjes së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare krahasuar me periudhën janar-dhjetor 2016, duke sjellë rritje të rentës për njësi nga 2.2 lekë/kg në 2.9 lekë/kg”, thuhet në raportin e ministrisë së Financave dhe Ekonomisë .
Ndërkohë që është rritur sasia e mineraleve të eksportuara me 7.3% gjatë vitit 2017, krahasuar me vitin e mëparshëm./a.gjonaj//e.caushi/























