TIRANE, 6 Mars/ATSH/- Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim, në një deklaratë të shpërndarë për shtyp vlerëson si të kënaqshëm progresin e arritur deri tani në zbatimin e projektit të modernizimit të asistencës sociale në Shqipëri, financuar nga Banka Botërore. Sipas saj, projekti po arrin objektivat dhe qëllimet e tij kryesore.
Salim reagoi pas disa shkrimeve në media lidhur me këtë projekt, të cilat i ka cilësuar me pasaktësi.
“Ditët e fundit kemi vërejtur me shqetësim disa raportime të pasakta të publikuara në media në lidhje me projektin e modernizimit të asistencës sociale në Shqipëri, financuar nga Banka Botërore”, shprehet përfaqësuesja e BB-së.
Sipas saj, objektivi kryesor i këtij projekti është mbështetja e zbatimit të reformave për të përmirësuar barazinë dhe efiçencën e programeve të asistencës sociale në Shqipëri. “Ky projekt mbështet përpjekjet e qeverisë për të targetuar në mënyrë më efikase burimet për shtresën më të varfër dhe në nevojë, duke përfshirë në programin e ndihmës ekonomike, të varfrit që ishin përjashtuar më parë dhe duke pastruar skemën përmes reduktimit të rasteve të mashtrimeve dhe gabimeve”, thotë Salim.
Projekti, sipas saj, është hartuar mbështetur në eksperiencën e ndërkombëtare që lidhet me fuqizimin e programeve të asistencës sociale.
Procesi pilot për zbatimin e formulës që përcakton të drejtën për përfshirje në programin e ndihmës ekonomike, vijon Salim, ka filluar që në vitin 2014 në tri rajone,Tiranë, Durrës dhe Elbasan, të cilat përfshijnë gjysmën e popullsisë së vendit dhe që nga janari i këtij viti po shtrihet në shkallë kombëtare.
Ky, vlerëson ajo, është një proces i gjatë me përmirësime të vazhdueshme për të shmangur pasaktësitë në targetimin e grupeve të duhura në nevojë.
“Progresi i arritur deri tani në zbatimin e projektit është vlerësuar si i kënaqshëm. Rezultatet e arritura tregojnë qartë që projekti po arrin objektivat dhe qëllimet e tij kryesore. Bazuar në anketimin kombëtar zyrtar të familjeve (anketimi i buxhetit të familjeve) janë shënuar përmirësime në targetimin e programit si p.sh. përqindja e përfitimit të ndihmës ekonomike për 10% të grupit të më të varfërve është rritur nga 34% në vitin 2009 (si viti bazë) në 45% në vitin 2015. Ndërkohë, mbulimi i 10% të grupit me të ardhura më të larta në kategorinë e përfituesve është ulur, si rezultat i kontrolleve dhe inspektimeve më të forta për të shmangur abuzimet. Pritet që mbulimi i përgjithshëm i më të varfërve të rritet bazuar në të dhënat zyrtare më të fundit”, deklaroi Salim.
Më tej, ajo shton se projekti i modernizimit të asistencës sociale është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë shqiptare dhe ka nisur zbatimin që prej vitit 2012 nga ministritë përkatëse dhe Shërbimi Social Shtetëror.
Banka Botërore ka ndjekur se afërmi procesin e zbatimit të tij, duke ofruar këshillim dhe mbështetje të vazhdueshme./a.gjonaj//e.caushi/























