Ballina Ekonomi

Ibrahimaj: KE evidenton progresin në punësim dhe aftësim profesional

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Komisioni Europian evidenton përparimin e Shqipërisë në fushën e punësimit, arsimit dhe formimit profesional, përmes zhvillimeve në disa programe dhe politika që synojnë rritjen e aftësive dhe përfshirjen në tregun e punës.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ndau në rrjetet sociale gjetjet e raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë 2026, duke veçuar tetë fusha ku janë shënuar zhvillime.

Ministrja theksoi se në kuadër të përgatitjeve për anëtarësimin në rrjetin europian të shërbimeve të punësimit EURES është shënuar përparim, ndërsa arsimi profesional ka vijuar të regjistrojë rritje të numrit të nxënësve dhe të forcojë rolin e tij në zhvillimin e aftësive për tregun e punës.

Raporti evidenton gjithashtu zgjerimin e arsimit profesional dual dhe të të nxënit në vendin e punës, si dhe shtrirjen në nivel kombëtar të Garancisë Rinore, me rritje të përfshirjes së të rinjve.

Në fushën e mbështetjes sociale, vlerësohet vijimi i masave për integrimin në punësim të përfituesve të ndihmës ekonomike dhe forcimi i përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara në shërbimet dhe mundësitë e punësimit.

Zhvillime janë shënuar edhe në kuadrin ligjor për njohjen e aftësive të fituara jashtë arsimit formal, si dhe në zgjerimin e praktikave profesionale dhe bashkëpunimin me bizneset.

“Vazhdojmë të krijojmë më shumë mundësi për punësim dhe aftësim profesional, duke afruar Shqipërinë me standardet europiane”, shkruan Ibrahimaj.

/gj.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakIZRAEL – Shumica e ligjvënësve mbështesin Eisenkotin për formimin e qeverisë
Artikulli tjetërHoxha takim me kryeministrin rumun Niculescu: Mbështetje për anëtarësimin në BE