TIRANE, 6 Mars/ATSH/- Qendra e Shërbimeve Arsimore ka publikuar kalendarin e datave si dhe emrat e 800 kandidatëve, që kanë aplikuar për të fituar mundësinë e punësimit për një nga vendet vakante në sistemin arsimor.
Të parët që do të testojnë njohuritë e tyre nga sot deri në datën 13 mars janë mësuesit e profilit gjuhë letërsi, të ndjekur nga arsimi fillor, parashkollor e gjuha angleze. Në total, janë rreth 6 mijë mësues që do të futen në provime, që janë parashikuar të zgjasin deri më 27 prill.
Çfarë përmban teza?
Specialistët e IZHA-s kanë hartuar pesë llojet e testeve sipas grupimeve kryesore të profileve. Përgjatë 60 minutave, kandidati do të duhet ti përgjigjet 50 pyetjeve me alternativa, të hartuara në bazë të shkallës së vështirësisë: të lehtë, mesatar dhe të vështirë, duke u vlerësuar përkatësisht me 1,2 dhe 3 pikë.
Në rast se të gjitha përgjigjet janë të sakta, kandidati fiton plot 70 pikë, të cilat së bashku me ato të dosjes, 30 maksimalisht, përbëjnë totalin e pikëve me të cilat ai garon për një vend vakant.
Ashtu si provimi, edhe vlerësimi do të bëhet manualisht. Secili prej mësuesve që i nënshtrohet provimit do të informohet menjëherë pas tij me numrin e pikëve që ka marrë.
Kandidatët që janë testuar vitet e kaluara dhe duan të mbajnë pikët që kanë, nuk janë të detyruar të futen në provim. Pikët e tij dërgohen nga njësia arsimore vendore në MAS dhe do të shërbejnë për renditjen përfundimtare që do të bëjë Qendra Ndërinstitucionale e Rrjetit Akademik Shqiptar.
Provimi
Arsimtarët e rinj e të vjetër që janë në kërkim të një vendi pune, këtë vit do të testohen në formë digjitale në mjediset e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, për t’u bërë pjesë e portalit “Mësues për Shqipërinë”.
Kështu, si forma dhe rregullat e tij janë gati të njëjta. Kandidatët, së pari, duhet të shikojnë datën dhe orën e testimit dhe të paraqiten atje së paku 30 minuta më herët, të pajisur me një kopje të kartës së identitetit ose pasaportës si dhe formularin e pranimit nga ana e DAR/ZA për fazën e dytë të konkurrimit.
Sipas rregullores së MAS, nëse kandidati nuk paraqitet në testim ose tërhiqet para fillimit të tij, atëherë ai nuk vlerësohet si i kryer. /z.t//e.caushi/























