SOFT NEWS – Një mesazh në shishe zbulohet pas 132… vitesh!

SIDNEJ, 6 mars /ATSH-DPA/ – Një nga mesazhet më të vjetra në botë, i vendosur në një shishe, dhe i shkruar në gjuhën gjermane, është gjetur në një plazh në Australinë Perëndimore, 132 vjet pasi kishte fluturuar nga bordi i një anijeje në Oqeanin Indian.

Zbulimi historik është bërë nga një grua australiane, Tonya Illman, duke ecur në dunat e rërës të ishullit Wedge, 180 kilometra në veri të Perthit, kryeqytetit të Australisë Perëndimore.

“Dukej si një shishe e bukur e vjetër, kështu që unë e mora atë duke menduar se ajo mund të dukej këndshëm në raftin tim të librave”, tha Illman.

“E dashura e djalit tim ishte ajo që zbuloi shënimin kur po mundohej ta nxirrte nga rëra. Ne e morëm atë me vete në shtëpi dhe kur e hapëm pamë se ishte e shtypur dhe e shkruar në gjermanisht. Mesazhi ishte i datës 12 qershor 1886”, shtoi ajo.

“Illman e zbuloi shishen me mesazhin që datonte më 12 qershor 1886, më 21 janar 2018, dhe i ishte kërkuar që ajo t’i dorëzohej Observatorit Detar Gjerman, në Hamburg apo konsullatës më të afërt gjermane”, tha sot një zëdhënëse e një muzeu australian.

Shishja ishte hedhur jashtë bordit të anijes gjermane “Paula” si pjesë e një eksperimenti zyrtar 69-vjeçar nga Observatori Detar Gjerman për të kuptuar më mirë rrymat globale të oqeanit dhe për të gjetur rrugë më të shpejta dhe më efikase të transportit detar”, theksoi ajo.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.