DURRËS, 19 Mars/ATSH-Maela Marini/.- Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme në qytetin bregdetar të Durrësit, ndërsa mësimi është pezulluar në disa shkolla.
Në një prononcim për ATSH-në, Prefekti i Qarkut të Durrësit, Roland Nasto informoi mbi situatën e deritanishme në qytetin e Durrësit, ku sipas tij, “po merren masa për zhbllokimin e disa rrugëve”.
Moti i keq me reshje intensive shiu ka sjellë po ashtu edhe rrëshqitjen e dherave në zonën e Currilave. Prefekti i Durrësit tha se, “janë dërguar mjetet dhe po punohet për pastrimin e dherave në këtë aks rrugor”.
Ndërkohë ai informoi se për shkak të motit të keq është pezulluar mësimi në disa shkolla, ndërsa në shkollën 9-vjeçare “Met Hasa” në Porto Romano po bëhet evakuimi i nxënësve pas pranisë së ujërave në katin e parë të godinës.
“Gjithçka është nën kontroll dhe po punohet në ato pika ku ka probleme”, tha Nasto, duke shtuar se me pakësimin e reshjeve pritet edhe normalizimi i situatës në rrugët e qytetit.
Sipas tij, hidrovori po punon me kapacitet të plotë, ndërsa nuk raportohen probleme me furnizimin me energji elektrike.
Nga reshjet e shumta përgjatë orëve të fundit, disa rrugë të qytetit të Durrësit janë nën ujë, duke bërë të pamundur kalimin e këmbësorëve dhe njëkohësisht duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve.
Situata më problematike paraqitet në rrugën “Aleksandër Goga”, kryqëzimi i Stadiumit, rruga “Skënderbe”, rruga “Taulantia” dhe tek rreth rrotullimi tek “Stacioni i trenit”. /a.g/






















