Ballina Aktualitet

Situata gjatë lidhjes live, Rama: Këtu është punë pasioni për Shqipërinë dhe për drejtësinë

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama sqaroi sot situatën e ndodhur gjatë komunikimit live me qytetarët në rrjetet sociale, ndërsa në një moment reagoi i nxehur duke përplasur tavolinën.

“Kur të thonë që po flet me veten në fejsbuk se ka problem interneti dhe pastaj hidhen përpjetë bretkosat duke ta shpërndarë shuplakën nëpër kënetë, për t’i thënë popullit u çmenda nga marazi i fitores imagjinare të kuakuakuave”, shkruan Rama ndërsa ndan videon në rrjetet sociale.

Rama tha se këtu është momenti që ndan kush është këtu me shpirt dhe zemër, si ata trajnerët tek vija e bardhë që nxisin skuadrën.

“Më vjen shumë mirë që ka mbetur në Instagram ai moment sepse është momenti që ndan kush është këtu me shpirt, kush është këtu me zemër, kush është këtu i gjithi njësoj si ata trajnerët tek vija e bardhë që nxisin skuadrën, që luftojnë për skuadrën, që i bien kokës me grushte kur skuadra nuk bën golin”, u shpreh Rama.

Rama tha se “këtu është punë pasioni për Shqipërinë, për drejtësinë, për demokracinë dhe për Europën këtu në Shqipëri”.

“Dhe nga ana tjetër, mu kujtua oguri i mirë i asaj sëpatës. Kështu ma nxorën dhe sëpatën për t’ju thënë shqiptarëve “Shikoni se ky është i rrezikshëm, mos votoni këtë”. Por shqiptarët jua dhanë përgjigjen. Rrofshi që e nxorët këtë se këtu kush nuk nxehet me telefonin por këtu nuk është punë telefoni, këtu është punë pasioni për Shqipërinë, për drejtësinë, për demokracinë dhe për Europën këtu në Shqipëri”, shtoi ai.

/m.m/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Veliaj akuzohet për shtëpinë e vjehrrit, e blerë kur ai nuk ka pasur asnjë lloj pushteti
Artikulli tjetërOsmani e ftuar nga Macron në Paris: Momente si këto forcojnë lidhjet diplomatike e ekonomike