Ballina Aktualitet

Balla – opozitës: Votoni ndryshimet në Kodin Zgjedhor, mos kini frikë nga vota e diasporës

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ftoi sot opozitën që të votojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votën e diasporës.

“Ftesa jonë: Nesër në Komisionin e Ligjeve të votohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor! Ua kemi borxh qytetarëve shqiptarë në diasporë”, tha Balla në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend.

“1000 herë faleminderit atyre 116 mijë bashkatdhetarëve që e kanë mbyllur me sukses aplikimin si votues nga jashtë dhe janë miratuar. Faleminderit dhe atyre 23 mijë të tjerëve, të cilët kanë aplikuar, nuk kanë paraqitur dokumentin. Ju lutem ndiqni atë që ju thotë KQZ”, u shpreh Balla.

“Kam qenë i sigurt që në fillim që të paktën 200 mijë bashkatdhetarë do të marrin pjesë. Me këtë trend shpresoj do të tejkalohet. Është hera e parë. Kosova sapo kaloi testin e dytë. Ne e kemi herën e parë. Të bëjmë gjithçka që bashkatdhetarët tanë në diasporë të votojnë. Prandaj shkoni nesër në Komisionin e Çështjeve Ligjore, ejani ditën e enjte këtu ta mundësojmë plotësisht votën e diasporës. Mos kini frikë nga vota e diasporës, është një moment historik për zgjedhjet në Shqipëri. Të mundësojmë pagesën e postës. Të mundësojmë zgjatjen e afatit. Nuk ju prish asnjë punë, as për primare, as për çfarë keni. Ta bëjmë 60 ditë regjistrimin e kandidatëve, në mënyrë që posta të shkojë edhe në Alaskë, edhe në Australi dhe të kthehet fleta e votimit. Dhe për atë që kemi rënë dakord, për numërimin me një KZAZ në KQZ”, tha Balla.

“Kjo ka shumë rëndësi, sa i përket çështjeve që mezi presin qytetarët”, theksoi Balla, i cili ftoi shtetasit shqiptarë në diasporë që të regjistrohen në adresën: kqz.gov.al.

“Të vazhdojmë përpara rrugën që kemi nisur anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Sa i përket çështjeve të tjera. Kryeministri Rama do të takohet këtë vit përsëri me presidentin Trump dhe ndërkohë që në 2027-ën e presim presidentin Trump të vijë në Shqipëri në kuadër të Samitit të NATO-s”, u shpreh Balla.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakReplika në Kuvend – Balla: Akuzat çoji në SPAK, Berisha: Nuk i kam falur tokë dhëndrit
Artikulli tjetërSHBA – Trump: Plani i Gazës nuk do t’u japë palestinezëve të drejtën e rikthimit