Ballina Flash

Rama pret rabinin izraelit në Vlorë: Së shpejti, nis ndërtimi i Muzeut Hebraik

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama priti sot në Vlorë Rabinin Yosiyahu Yosef Pinto, i cili po zhvillon një vizitë në Shqipëri.

Kryeministri theksoi se Shqipëria është një vend model i vëllazërisë fetare, ku hebrenjtë u morën në mbrojtje si askund tjetër gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Me nder dhe përulësi pata privilegjin të mikëpres për herë të dytë Rabinin Yosiyahu Yosef Pinto në Shqipëri — një vend model i vëllazërisë fetare, ku hebrenjtë u morën në mbrojtje si askund tjetër gjatë Luftës së Dytë Botërore”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se “ishte një privilegj të vizitonte me të Vlorën, qytetin ku hebrenjtë u vendosën shekuj më parë.

Rama informoi se në zonën që dikur ishte lagjja e tyre, së shpejti do të fillojë ndërtimi i një Muzeu të bukur Hebraik.

Muzeu Hebraik  do të jetë dëshmi e bashkëjetesës mes hebrenjve dhe shqiptareve në Vlorë, kryesisht në periudhën e Holokaustit. Ai konfirmon ndihmën që shqiptaret i dhanë komunitetit hebre në Vlorë.

Rabbi Yosiyahu Yosef Pinto është një figurë e njohur fetare dhe udhëheqës spirituel, i njohur për ndikimin e tij në komunitetin hebre dhe jashtë tij. Ai është themeluesi dhe lideri i organizatës “Shuva Israel”, e cila ka për qëllim ofrimin e mësimeve shpirtërore për hebrenjtë dhe të tjerë që kërkojnë udhëzim në jetën e tyre. Organizata Shuva Israel është aktive në shumë shtete.

/m.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMesazhe mashtruese në celularë, Policia apel qytetarëve: Mos i klikoni
Artikulli tjetërParashikimi i motit, e martë, 7 janar 2025