TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Kalaja e Lezhës pas ndriçimit të saj me drita LED ofron një pamje mahnitëse për qytetarët lezhianë, por edhe turistët e shumtë vendas e të huaj që e vizitojnë atë.
Kryeministri Edi Rama ndau mbrëmjen e sotme pamje nga kalaja natën, prej së cilës vizitorët shikojnë gjithë qytetin e Lezhës dhe detin Adriatik.
“Kalaja e Lezhës me profilin prej dritash”, shkruan Rama.
Kalaja e Lezhës ngrihet në majë të një kodre me lartësi 186 metra, në lindje të qytetit. Kalaja ka origjinë ilire. Në vitin 1440 ajo iu nënshtrua një rindërtimi nga venedikasit, ndërsa në vitin 1522 pas pushtimit osman u rindërtua edhe nga ana e tyre. Këtu mund të shikohen gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine dhe osmane.
Objektet më interesante për t’u vizituar janë rrënojat e ndërtesave osmane brenda kalasë, xhamia, kulla në murin juglindor me një hark romak dhe kulla ilire në murin jugor. Kalaja e Lezhës është monument kulture.
Përveç kalasë së Lezhës janë ndriçuar edhe kalatë e Shkodrës, Beratit, Gjirokastrës etj.
/k.s/























