Ballina Aktualitet

Mandati i Xhaçkës, Bardhi-Nikollës: Thirr mbledhjen e Këshillit të Mandateve pa asnjë vonesë

TIRANË, 27 mars/ATSH/ Kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike Gazment Bardhi i është përgjigjur sot kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, lidhur me çështjen e mandatit të deputetes së Partisë Socialiste Olta Xhaçka.

Një ditë më parë, Nikolla duke iu përgjigjur kërkesës së Bardhit që Konferenca e Kryetarëve të caktonte datën e shqyrtimit të zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e mandatit të Xhaçkës, e adresoi grupin parlamentar të PD tek Këshilli për Legjislacionin, si organi i cili duhet të marrë në shqyrtim çështjen.

Bardhi, në replikë me kryetaren e Kuvendit thekson se ky mesazh i Nikollës, është një mesazh që SPAK të mos hetojë Xhaçkën.

“Duke qenë se Këshilli i Legjislacionit në raportin që i ka paraqitur Kryetares së Kuvendit, ka prezantuar dy qëndrime, atëherë kjo çështje duhet të diskutohet në Konferencën e Kryetarëve, si struktura përgjegjëse parlamentare për organizimin e punës së organeve brenda Kuvendit”, shkruan Bardhi.

“Nëse nga ana juaj si Kryetare e Kuvendit është përkrahur këshilla e 5 anëtarëve të mazhorancës, për të zvarritur këtë çështje, atëherë ju keni patur detyrimin kushtetuese dhe ligjor, që çështjen ta transferonit menjëherë për shqyrtim pranë Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe të thërrisnit mbledhjen e këtij Këshilli. Është fakt, që për 1 vit e 2 muaj, si dhe veçanërisht që nga Korriku 2023 ku ka përfunduar puna e Këshillit të Legjislacionit, ju nuk keni ndjekur asnjërën nga procedurat e mësipërme”,  thuhet në letrën zyrtare drejtuar Kryetares së Kuvendit.

Bardhi i kërkon Nikollës që të zgjedhë nëse duhet të thërrasë mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ose të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, por pa asnjë vonesë të mëtejshme.

“Mazhoranca socialiste duhet të heqë menjëherë dorë nga precedenti i rrezikshëm i injorimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo minon demokracinë dhe parimet e shtetit ligjor. Pengim i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, po të mbahen në konsideratë rrethanat e çështjes, krijon bindjen e plotë në opinionin publik se përmes veprimeve konkrete mazhoranca juaj po pengon drejtësinë në përmbushjen e rolit të vet kushtetues, duke i ofruar mbrojtje politike të paprecedentë një deputeti të mazhorancës. Në vlerësimin tonë, ky është një sinjal politik edhe për SPAK që të mos hetojë deputeten e mazhorancës dhe familjarët e saj, për implikimin e mundshëm në tjetërsimin e paligjshëm të pronave publike, apo të mos hetojë autoritetet përgjegjëse, përfshirë Kryeministrin Edi Rama, që në shkelje të ligjit dhe me dokumente të falsifikuara i kanë dhënë familjes së deputetes Xhaçka statusin e investitorit strategjik dhe benefitet ligjore e financiare që vijnë nga ky status”, përfundon letra e kryetarit të grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDorëheqja e Goros, Balla: Do respektohet ligji, Këshilli Bashkiak zgjedh kryetarin e komanduar
Artikulli tjetërKryeprokurori Çela: Angazhim serioz në hetimin e krimeve zgjedhore