TIRANË, 27 mars/ATSH/ Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në përfundim të mbledhjes së qeverisë, në përgjigje të interesit të medias, tha se Këshilli Bashkiak i Himarës do duhet të zgjedhë kreun e komanduar të bashkisë.
Sipas Ballës, pas dorëheqjes së Jorgo Goros nga posti i kryetarit në detyrë të bashkisë së Himarës, është Këshilli Bashkiak ai që do të marrë vendimin për të përcaktuar një kryetar të komanduar përkohësisht.
“Goro? -Ligji për organizimin e qeverisë vendore në Shqipëri përcakton qartë rastet e vakancës. Qoftë me dorëheqje, apo në një formë tjetër të krijimit të vakancës. Akti i dorëheqjes sapo ka ndodhur. Nga ky moment, brenda 48-orësh institucioni i prefektit njofton organet e tjera të qeverisjes qendrore. Të jeni të sigurtë që si në çdo rast qeveria e Shqipërisë do të zbatojë ligjin pikë për pikë”, tha Balla.
“Unë jam ministër i Brendshëm i Shqipërisë dhe s’më takon që të bëj deklarata të natyrës politike lidhur me vendimmarrjen ekskluzive të këshillit bashkiak të bashkisë së Himarës. Ju e dini fare mirë se si veprohet kur krijohet vakanca. Këshilli Bashkiak komandon në atë detyrë, një kryetar i cili të kryejë në mënyrë të përkohshme këtë detyrë. Në këtë aspekt t’ia lëmë vendimmarrjen institucioneve që u takon me ligj”, tha Balla.
Ministri i Brendshëm tha se jo vetëm për rastin e Goros, por për të gjitha rastet kur një zyrtar është prangosur, SPAK ka patur mbështetje të plotë nga mazhoranca dhe qeveria.
“Drejtësia ka të gjithë mbështetjen tonë për të çuar përpara luftën ndaj korrupsionit dhe çdo forme tjetër të shkeljes së ligjit”, tha Balla.
Të shtunën Jorgo Goro, kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarë dhe katër ish-zyrtarë të tjerë u arrestuan me urdhër të SPAK. Goro akuzohet për shpërdorim detyre, që lidhet me falsifikimin e disa dokumenteve pronësie. Më herët, GJKKO shpalli fajtor për korrupsion zgjedhor kryetarin e zgjedhur të bashkisë së Himarës Fredi Beleri.























