Ballina Flash

Hohmann: BE, mbështetje arsimit dhe trashëgimisë kulturore

TIRANË, 17 shkurt/ATSH – I. Vata/ Ambasadorja e BE-së Christiane Hohmann kujtoi sot trevjetorin e takimit të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel për të mbështetur Shqipërinë pas tërmetit tragjik të nëntorit 2019.

Ambasadorja e BE-së Christiane Hohmann thekson se falë mbështetjes së BE-së janë ndërtuar 38 shkolla të reja.

“Si sot tre vite më parë, BE-ja, shtetet anëtare të saj dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë u mblodhën në Bruksel për të mbështetur përpjekjet e rindërtimit të Shqipërisë pas tërmetit tragjik të nëntorit 2019. Sot, falë programeve tona kryesore, EU4Schools dhe EU4Culture, janë ndërtuar 38 shkolla të reja dhe janë restauruar plotësisht tre vende të trashëgimisë kulturore”, u shpreh ambasadorja.

Po ashtu, ambasadorja e BE-së Christiane Hohmann vë theksin te ndihma që BE po i jep Shqipërisë në mbështetje të arsimit dhe të trashëgimisë kulturore.

“Bashkimi Evropian  dhe shtetet e saj anëtare reaguan menjëherë për të ndihmuar Shqipërinë  të rimëkëmbet nga tërmeti i tmerrshëm. Sot, jam krenare që shoh dhjetëra shkolla të reja e moderne dhe objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore duke u restauruar. Mbështetja e BE-së tashmë po sjell një ndryshim në sistemin arsimor të vendit dhe në trashëgiminë kulturore të tij. Ajo po ofron mundësi më të mira arsimimi për brezin e ri, qytetarët e ardhshëm të Shqipërisë në BE. Po ndihmon Shqipërinë  të ruajë trashëgiminë e saj të pasur dhe të nxisë turizmin lokal”, tha ambasadorja e BE-së Christiane Hohmann.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShpallet konkursi ndërkombëtar për Muzeun “Besa”, Margariti: Detyrim t’ua përcjellim brezave
Artikulli tjetërKosova e pavarur në vizatimet e nxënësve, Kushi: Krenare për mesazhet